fbpx

Koha e fundit për një kazermë policore në Veri të Kosovës

nga Revista Kosovarja

Tensionet në Veri të Kosovës janë përllogaritje e Serbisë për pushtimin e tij, shkruan “Kosovarja”.

Në fakt, tensione në Veri të Kosovës Serbia ka krijuar rregullisht, duke kërkuar shkas për ndërhyrje në stilin rus: Ndërhyje për të mbrojtur kinse pakicën serbe, e që, në fakt, as që rrezikohet nga askush.

Serbia, nëpërmjet kishës sllave, po krijon tensione, duke sjellë serbë me autobusë në Jarinjë e Bërnjak.

Kështu, strukturat e MUP-it, kisha serbe dhe presidenti Vuçiç, po bëjnë përpjekje për të jetësuar në praktikë projektin e Millosheviqit për Serbinë e Madhe.

Prandaj, tensionet e Serbisë në Veriun e Kosovës, janë projekte provokuese që Kosova të bie në grackën e Beogradit e që ta pushtojë këtë pjesë të Kosovës.

Dhe, nëse Veriu i Kosovës pushtohet nga Serbia, funksionimi i shtetit të Kosovës do të jetë i pamundur…

Serbia, pastaj, do të fillojë me tensione të tjera në Kosovë, për ta paralizuar shtetin përmes komunave me shumicë serbe, që tashmë janë enklava nëpër Kosovë.

Graçanica është qendra kryesore, enklava qendrore në Kosovë, ku përfshihet territori ndërmjet Prishtinës, Lipjanit dhe Gjilanit.

Gjithashtu, edhe Vitia ka eks-territor me komunën e Kllokotit dhe të disa komunave në Anamoravë, por edhe Shtërpca ka ingjerenca komunale që pengojnë rrjedhën e punës në organet qendrore të Kosovës.

Megjithatë, Veriu i Kosovës prin në këtë drejtim, që sot për shtetin e Kosovës është territor i pakontrollueshëm në aspektin e sigurisë fizike dhe të lirisë së lëvizjes.

Veriu i Kosovës është pa qasje nga organet e Kosovës edhe në inkasimin tatimor dhe fiskal. Madje, komoditeti i komunave serbe në Veri shkon deri te pika sa shteti i Kosovës ua paguan rrymën serbëve të atjeshëm!

Sidoqoftë, Kosova deri më tani ka qenë e pafuqishme ta shtrijë autoritetin qeverisës në rikthimin e popullatës shqiptare në pronat e veta legjitime dhe të pengojë ndërtimet e lagjeve të tëra, e që financohen nga Serbia.

Kosova ka qenë deri më tani pa autoritet në përballje edhe me strukturat paralele të bandave serbe, e që operojnë në Veri me përkrahjen e “Listës Serbe”, e cila punon sipas direktivave të Beogradit.

Andaj, është koha e fundit që Kosova ta vendosë në Veri një kazermë policore, me forcë adekuate, që edhe në këtë pjesë të Kosovës të luftohet krimi i organizuar.

Në anën tjetër, prania e përhershme e policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit, do të reflektojë me identifikimin e plotë të kriminelëve dhe të të gjithë banorëve në Veri. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]