fbpx

Komuna paralajmëron: Hyrjet e Prishtinës do të jenë të bllokuara për protestën e OEK

nga Revista Kosovarja

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër disa nga hyrjet kryesore të Prishtinës do të jenë të mbyllura përkohësisht, si pasojë e një proteste të paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Protesta do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në ora 12:00, si shenjë kundërshtimi ndaj procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025.

Në njoftimin e Komunës thuhet se zonat që do të preken nga bllokimi janë: Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani, përfshirë rrugën pranë Albi Mall dhe pjesën poshtë Veternikut (akseset nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti), hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica, konkretisht në rrethin e Madh te Lakrishtja (Dukagjini Tower) dhe hyrja nga Podujeva, në lagjen Vranjevc – përfshirë zonën te ish-Humanisti dhe udhëkryqin pranë bankës Raiffeisen (bllokohet qasja në drejtim të Podujevës dhe nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviqit).

Automjetet e bizneseve pjesëmarrëse do të pozicionohen në rrugë, duke pamundësuar përkohësisht qarkullimin në këto segmente.

“Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe sugjerojmë planifikim alternativ të lëvizjeve gjatë kohës së protestës. Institucionet e Kryeqytetit janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë publike dhe menaxhimin sa më efikas të situatës”, thuhet në njoftim.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]