Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca sot është takuar me homolgen e tij të Shqipërise, Elisa Spiropali.
Konjufca e ka uruar Spiropalin për detyrën e saj të re, me bindje që do të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.Tutje, kryeparlamentari shtoi se ky takim i shërben vizionit të përbashkët të raporteve Kosovë-Shqipëri.
“Shtetet tona kanë lidhje të natyrshme vëllazërore, sepse janë themeluar mbi sakrificat dhe përpjekjet e të njëjtit komb. Kjo na obligon të qëndrojmë gjithnjë afër, duke mbajtur po natyrshëm të palëkundur parimin e mospërjashtimit mes interesit të shteteve tona dhe atij kombëtar. Në këtë kuptim, znj. Spiropali e falënderova për vizitën e saj të parë në Kosovë në cilësinë e kryekuvendares, sepse ky takim i shërben vizionit të përbashkët të raporteve përplotësuese që na shtyjnë të ecim përpara së bashku”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe, Spiropali i ka shpreh gatishmërinë e saj për të punuar më të gjitha kapacitetet në drejtim të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve.
Në fund, Konjufca tha se në konferencën e përbashkët ka folur edhe për sfidat e Kosovës në raportet me Serbinë.
“Kryetarja Spiropali shprehu gatishmërinë e saj pa rezerva, për të punuar me të gjitha kapacitetet në drejtim të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve tona, duke falënderuar për pritjen e duke pasur shumë pritshmëri e optimizëm për punën që na pret. Edhe në konferencën e përbashkët për shtyp, rivendosëm në dukje domosdoshmërinë e mështetjes së ndërsjellë, si dhe bindjen e përbashkët se sfida e Kosovës në raportet me Serbinë vendoset në rrugë të drejtë përsa kohë bazohet në njohje të ndërsjellë, shkëputje e ndërshkim ndaj së shkuarës së krimeve të luftës”, ka shkruar Konjufca.