Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar plotësisht importin e deleve dhe dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë, pas përhapjes së sëmundjes ngjitëse të murtajës së bagëtive të imta (PPR) në disa rajone të vendit fqinj, raporton Gazeta Sinjali.
Ky vendim u mor pas rivlerësimit të situatës epidemiologjike, ku u konfirmua zgjerimi i zonave të prekura nga sëmundja. Si masë parandaluese, AUV ka udhëzuar komunat në zonën kufitare me Shqipërinë që të vendosin masa strikte për kufizimin e lëvizjes së bagëtive në kullosa.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndryshon masën ndalese së përkohshme për import të ruminantëve të vegjël – dele dhe dhi. Nga sot, masa e ndalesës vlen për gjithë territorin e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Sipas AUV-së, fermerët janë të obliguar t’i mbajnë kafshët nën mbikëqyrje dhe të parandalojnë çdo kontakt të kopesë së tyre me bagëti të ardhura nga Shqipëria. Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në pikat kufitare dhe në të gjitha zonat përgjatë brezit kufitar, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Kosovës.
AUV thekson se PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet e tyre.
“Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje”, thuhet më tej në njoftim. Sëmundja nuk është zoonotike dhe nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut.