fbpx

Kryeprokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës të përkushtuar për mbrojten e gazetarëve dhe lirinë e shtypit

nga Revista Kosovarja

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka lëshuar një udhëzim që i detyron të gjithë prokurorët, që të shmangin ndërmarrjen e çfarëdo veprimi hetimor ndaj mediumeve apo gazetarëve, që në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë do t’i detyronte gazetarët apo profesionistet e tjerë të medias të zbulojnë burimet e informacionit.

Një udhëzim i tillë vie pas publikimit të një hulumtimi nga mediumi “Insajderi”, në të cilin thuhej se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka refuzuar të nënshkruaj kontratën për vaksina me kompanitë “Pfizer dhe BioNTech.

Pas kërkesës së ministrit Vitia që prokuroria e shtetit të mbrojë interesin publik dhe të veprojë ndaj kujdo që dëmton procesin e vaksinimit, prokuroria ka filluar hetimet, derisa është kërkuar nga “Insajderi” që të zbulojë burimet e informacionit.

Ndërsa, sot nga Prokuroria kanë deklaruar se do të mbrojnë parimet e lirisë së shtypit.

Ndërsa, nga Prokuroria Speciali kanë bërë të ditur se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim pune Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, për të adresuar ngjarjet e fundit lidhur me mbrojtjen e burimeve të gazetarisë nga hetimet penale.

Për me tepër, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga të gjithë prokurorët që ta njoftojnë para se të ndërmarrin ndonjë veprim hetimor ndaj gazetarëve apo profesionistëve të medias.

“Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë janë të përkushtuar për të siguruar që prokuroria dhe policia të mbrojnë parimet e lirisë së shtypit dhe të respektojnë në tërësi Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, i cili mbron burimet e informacionit. Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka lëshuar udhëzim detyrues për të gjithë prokurorët, i cili është ndarë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ku detyrohen prokurorët që të shmangin ndërmarrjen e çfarëdo veprimi hetimor ndaj mediumeve apo gazetarëve, që në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë do t’i detyronte gazetarët apo profesionistet e tjerë të medias të zbulojnë burimet e informacionit”, thuhet nga Prokuroria, raporton Express.

Udhëzimi gjithashtu ua rikujton prokurorëve që, sipas ligjit, gazetarët nuk mund të ndiqen penalisht në rastet kur e shfrytëzojnë të drejtën e heshtjes lidhur me burimet e tyre të informacionit.

“Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sigurojnë publikun dhe mediat se mbrojtja e të drejtave të gazetarëve dhe profesionistëve tjerë të medias është e rëndësisë më të lartë për të dyja institucionet dhe zotohen se do të ndërmarrin veprime të menjëhershme ndaj kujtdo që nuk i përmbahet këtyre parimeve”, thuhet në një komunikatë për media.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]