fbpx

Kurti: Duhet t’i aktivizojmë gratë e shkolluara e t’i shkollojmë sa më lartë gratë aktive

nga Revista Kosovarja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka thënë se krijimi i mundësive të barabarta, është objektivi i parë strategjik i Qeverisë të cilën ai e drejton.

Kurti tha se gratë dhe vajzat mbajnë barrën e problemeve shoqërore, dhe ato janë thelbësore për të nxitur dhe udhëhequr ndryshimet drejt zgjidhjes së tyre.

“Gratë e bëjnë aktivizmin e dyfishtë: merren me politikat e përgjithshme, por gjithsesi edhe me çështjet gjinore. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, por ato punojnë po ashtu edhe për gratë, sidomos për gratë. Duhet t’i aktivizojmë gratë e shkolluara e duhet t’i shkollojmë sa më lartë gratë aktive.

Krijimi i mundësive të barabarta, është objektivi ynë i parë strategjik në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore. Që gratë të përfitojnë nga zhvillimi, por edhe të kontribuojnë, që të rrisim përfshirjen, e pjesëmarrjen aktive, e pjesëmarrjen në vendimmarrje”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kurti tha se Qeveria që ai drejton po punon në fuqizimin ekonomik të grave dhe pavarësimin financiar, nëpërmjet zgjerimit dhe zhvillimit të Masave Aktive të Punësimit.

“Po punojmë për fuqizimin ekonomik të grave dhe pavarësimin financiar, nëpërmjet zgjerimit dhe zhvillimit të Masave Aktive të Punësimit. Njëkohësisht edhe për realizimin e të drejtës në pronë dhe trashëgimi; uljen e punësimit joformal dhe përmirësimin e kushteve në vendin e punës për gratë dhe vajzat.

Me Pakon e Ringjalljes Ekonomike kemi zbatuar masa aktive për punësimin e grave, nga të cilat kanë përfituar mbi 3000 gra dhe vajza. Ndërsa kemi zbatuar edhe masa të tjera mbështetëse për gratë, si ajo për lehonat, nga të cilat vazhdojnë të përfitojnë rreth 12.000 nëna të reja”, u shpreh Kurti.

Ai tha se dhuna ndaj grave duhet të parandalohet në mënyrë që gratë të jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje.

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe të mos tolerohet dhuna, të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë”, u shpreh Kurti.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]