Albin Kurti, kryeministër në detyrë, sot gjatë ditës së bashku me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe me ministrin e Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, kanë vizituar zonat ku po mbahen ushtrimet për ‘‘Defender Europe 25’’.
Ata kanë vizituar komandën e divizionit 28 të këmbësorisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkura të Amerikës e cila, siç ka shkruar Kurti, drejton me të gjitha brigadat shumëkombëshe në regjionin e Europës Juglindore.
Kurti ka shkruar edhe se ushtria e vendit po dëshmon çdo ditë aftësitë ndërvepruese me ushtritë e vendeve të NATO-së.
Postimi:
Ushtria jonë çdo ditë po dëshmon aftësitë ndërvepruese me ushtritë e vendeve të NATO-së.
Ushtrimi Defender Europe 25 është duke u zhvilluar me sukses të plotë në Republikën e Kosovës. Për të parë nga afër, sot së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari vizituam komandën e divizionit 28 të këmbësorisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkura të Amerikës e cila drejton me të gjitha brigadat shumëkombëshe në regjionin e Europës Juglindore.
Më pas vazhduam në Devë për të vizituar Forcën për Detyrë, një batalion ky shumëkombësh i drejtuar nga regjimenti i dytë i këmbësorisë së FSK-së. Në fund vizituam poligonin për qitje me armë të lehta, poligon ky i cili ka ardhur si donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ushtrinë e Kosovës.
Sot po ashtu patëm rastin të shohim investimet infrastrukturore që jemi duke i bërë në zonën kryesore të trajnimit në Babaj të Bokës.