Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e 100-të të Qeverisë Kosovës ka thënë se për një vit e gjysmë vendi ka shënuar rritjen historike ekonomike.
“Kemi rritjen ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 për qind ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti kemi 4.9 për qind të bruto produktit vendor”, tha Kurti.
“Në vitin 2021 të hyrat e doganës janë rritur për 30.8 për qind. Kemi shlyerje të borxheve qindra milionë euro. Kemi bërë luftim të pakompromis të punës jo-formale dhe kontrabandës. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit për mbi 12 milionë euro”.
Kurti, mes tjerash, tha se përkundër dukurive negative që ka trashëguar dhe sfidat që po përballet, si qeveri për një vit e gjysmë kanë arritur më shumë suksese se çdo qeveri e kaluar.
“Përkundër dukurive negative që kemi trashëguar e jemi duke u përballur si qeveri kemi arritur më shumë suksese se çdo qeveri e kaluar brenda këtij 1.5 vjeçari të parë”.
“Së pari me 1 vit e gjysmë rritje ekonomike dhe qeverisje anti-korrupcion, qeverisje socialdemokrate me stabilitet institucional. Kemi rikthyer sistemin e financave publiken në binarë duke ulur borxhin publik kundrejt bruto produktit vendor për 27 për qind – kjo dëshmon përgjegjshmëri për paranë publike. Kemi ofruar mbi 750 milionë euro mbështetje për qytetarët dhe bizneset për periudhën pas pandemike, krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve” tha Kurti.