Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar njohjen nga Greqia, gjatë një takimi që ka pasur të enjten me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Chryssuola Aliferi.
Sipas një komunikate të Qeverisë, Kurti në këtë takim ka vlerësuar “lart marrëdhëniet me Greqinë dhe angazhimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti me anëtarësimin në BERZH”.
“Kryeministri Kurti kërkoi që të zgjerohet dhe të thellohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral dhe që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën”, thuhet në njoftim.
Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pasi zyrtarë të Greqisë në Serbi u shprehën se qëndrimi i këtij shteti është i qartë që Kosova nuk njihet si shtet.