fbpx

Kurti për Ditën e Gruas: Kurrë më të mos vriten, shtypen a shfrytëzohen gratë!

nga Revista Kosovarja

Kryeministri potencial, Albin Kurti, e ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 marsin, duke premtuar që qeveria në ardhje do t’i lehtësojë jetët dhe përvojat e grave.

“8 Marsi është dita ndërkombëtare e gruas. E të gjitha grave. Shënon përpjekjet që ende vazhdojnë por edhe sukseset që gratë i kanë arritur historikisht”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Sot e çdo ditë duhet ta njohim kontributin e grave që nuk janë më dhe të luftojmë bashkë me gratë për më shumë të drejta”.

Kurti potencoi që gratë bartin barrë shumë të mëdha që u janë lënë atyre, dhe se pritshmëritë për emancipim shoqëror duhet të bien në të dy gjinitë.

“Barra shumë të mëdha u janë lënë grave. Ato jo vetëm e kanë emancipuar veten por tash prej tyre pritet edhe emancipimi i shoqërisë. Duhet ta bëjmë këtë bashkërisht dhe të ndajmë çdo përgjegjësi”.

“Qeverisja jonë do të jetë e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale që e lehtësojnë dhe e përkrahin jetën dhe përvojat e grave. Qofshin gra punëtore, të papuna, gra rome, të varfra, në kohën kur lindin, apo kur nuk duan të lindin, kur kërkojnë punë apo kur diskriminohen në punë”.

Në fund të shkrimit të tij Kurti uroi që beteja për barazi shoqërore të vlejë edhe për atë gjinore, duke ia bashkëngjitur shkrimit edhe një sërë fotografish nga marshi i sotëm në luftën për barazi.

“Prej punëve të shtëpisë e deri te përgjegjësitë institucionale, le ta bëjmë Kosovën më të barabartë. Që kurrë më të mos vriten, shtypen a shfrytëzohen gratë. E, që beteja për barazi shoqërore ta nënkuptojë edhe atë për barazi gjinore”.

“Urime 8 Marsi, nga marshi paqësor në Prishtinë ku morëm pjesë në solidaritet”.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]