fbpx

Kurti përmend katër arsye “që e bëjnë një konflikt në Ballkan të imagjinueshëm”

nga Revista Kosovarja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për revistën zvicerane “Die Republik”, ka folur për arsyet që e bëjnë atë të besojë se rajoni i Ballkanit Perëndimor është i rrezikuar nga një luftë.

Kurti ka thënë se derisa Kosova është demokraci, Serbia nuk është.

“Ne nuk kemi frikë, por duhet të jemi të vëmendshëm. Mbesim të shqetësuar. Sipas mendimit tim ka katër arsye, që e bëjnë një konflikt të imagjinueshëm. Së pari, Serbia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës. Lufton kundër njohjes sonë ndërkombëtare, dhe në të njëjtën kohë financon strukturat kriminale brenda Kosovës për ta minuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin tonë. Së dyti: Në Serbi nuk mund të pajtohen me krimet e luftës të kryera në vitet 1990-ta. Është për keqardhje. E treta, e që më shetëson: Kosova është një demokraci, Serbia nuk është. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik. Së katërti, Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidentin despot rus Vladimir Putin. Vuçiqi e ka takuar Putinin 20 herë në 10 vjet, së fundi më 25 nëntor të vitit 2021 në Sochi, tre muaj para se të fillonte lufta në Ukrainë”, ka thënë Kurti.

Ai ka cituar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ka thënë pas takimit me Putinin se “ka folur për standarde të dyfishta dhe hipokrizinë ndërkombëtare”.

Kurti është pyetur edhe për nofkën e re që presidenti serb Vuçiq ia ka lënë. Vuçiq e quajti së fundi Kurtin “Zelensky i vogël”.

“Vuçiqin e kam cilësuar më herët në Facebook si ‘Putin i vogël’. Unë mendoj, se ai nuk kishte kreativitet të mjaftueshëm, duhej të dilte me diçka më kreative”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se Serbia dhe Rusia zhvillojnë stërvitje të përbashkëta të cilat i quajnë “mburoja sllave” dhe “vëllazëria sllave”.

Ndërsa ka thënë edhe se industria e naftës së Serbisë drejtohet nga Gazpromi dhe se ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka zyre të saj në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë.

“Sot 70 për qind e serbëve kanë një mendim pozitiv për Vladimir Putinin. Në të njëjtën kohë përkrahja për Bashkimin Evropian ka rënë në një pikë të ulët historike prej 30 për qind. Kjo atmosferë është përhapur edhe te serbët në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit”, tha Kurti.

Kurti tregon nëse ka shtrënguar dorën me Vuçiqin

Kryeministri Kurti është pyetur edhe për krahasimet që bën presidenti rus Vladimir Putin mes situatës në Kosovë dhe Ukrainës.

Ai ka thënë se është krejt ndryshe situata. Derisa në Kosovë NATO ka ndalur një gjenocid, në Ukrainë është Rusia që nisi luftë.

Kurti ka folur edhe për kritikat që ka marrë se ka përmendur mundësinë e konfliktit.

“Është e vërtetë, popullata normale nuk do konflikt nuk e inkurajon atë. Disa qindra njerëz të financuar nga Beogradi e bëjnë këtë. Shumë prej këtyre kanë fituar përvojën në luftërat në ish-Jugosllavi. Do të preferoja që në Serbi të shihja një politikë progresive pro-evropiane. Por, nuk është kështu. Nga ana tjetër, atmosfera gjatë takimeve tona në Bruksel është përmirësuar”, ka thënë Kurti.

I pyetur nëse ka shtrënguar dorën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai ka thënë se nuk e ka bërë këtë.

“Jo kurrë. Kjo për shkak se jemi takuar tre nga katër herët gjatë pandemisë COVID dhe nuk ka një marrëveshje përfundimtare ende”, tha kryeministri i Kosovës.

Kurti ka folur edhe për barrikadat që u ngritën në Kosovë më 31 korrik, e trazirat e krijuara.

Thotë se situata ishte e rrezikshme.

“U ngritën 13 barrikada, 9 prej tyre për më pak se 10 minuta. Bandat kriminale të financuara nga Beogradi kanë krijuar këto. Qëllimi i tyre, të mbronin njerëzit e armatosur. Situata ishte e rrezikshme”, tha Kurti.

Ai ka treguar se nga prilli deri në gusht Forcat Speciale të Policisë së Kosovës kanë arrestuar 71 persona në veri, prej tyre 33 shqiptarë, 26 serbë të Kosovës, 6 serbë të Serbisë, tre romë, dy boshnjakë dhe një goran.

“Krimi i organizuar është multietnik e ndërkuiftar”.

Kurti: NATO do të mbetet në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shumica e serbëve në Kosovë e pranojnë shtetin e Kosovës. Ai thotë se 130 mijë serbë kanë letërnjoftimet e Kosovës, porse një numër i vogël deri 5000, refuzojnë ato.

“Strukturat ilegale po e humbin ndikimin, për shkak të kësaj ata bëhen gjithmonë më agresiv”, tha Kurti.

I pyetur nëse frikësohet se në Kosovë mund të ndodhë ajo që ndodhi në Afganistan më 15 gusht të vitit të kaluar, kur talebanët morën pushtetin pas largimit të NATO-s, Kurti ka thënë se nuk beson se do të largohet NATO.

“NATO do të mbetet në Kosovë, sepse Kosova do të anëtarësohet në NATO. Të dyja janë pjesë e historisë së njëra-tjetrës dhe kështu do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Nuk ka asnjë paralele mes Afganistanit e Kosovës”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës është pyetur edhe për SHBA-në dhe për marrëdhëniet që nuk i kishte aq të mira me ish-emisarin e SHBA-së për dialogun, Richard Grenell.

“Kosova e konsideron SHBA-në si mike, partnere e aleate për sigurinë dhe mbrojtjen. Përsëri me përjashtim të Bjellorusisë, nuk ka asnjë vend më afër Kremilinit sesa Serbia. Kjo është arsyeja pse SHBA është më e rëndësishme për ne se çdo gjë tjetër. Por, sigurisht nuk jam dakord me gjithçka që thonë përfaqësuesit e SHBA-së. Kjo u bë e qartë në vitin 2020 kur i dërguar i Trumpit për Ballkan, Grenell, donte që unë të hiqja dorë nga kërkesat e mia ndaj Serbisë. Jam i bindur se gjërat në SHBA po shkojnë për të mirë. Joe Bideni është politikani më përparimtar në botë sot. Shpresoj që kjo ndjenjë transatlantike të mos humb. Shpresoj për të mirë”, tha Kurti.

Kurti për flamurin e Kosovës dhe ëndrrën e bashkimit me Shqipërinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe për rezultatet jo të mira që Lëvizja Vetëvendosje i pati në zgjedhjet komunale, ku i fitoi katër komuna.

“Opozita u bashkua kundër nesh. Qeverisja të lodhë. Nuk ke shumë kohë, që të jesh pranë bazës partiake të takosh njerëz”, tha Kurti, ndërsa ka thënë se një nga arsyet e rezultatit jo aq të mirë është edhe se diaspora ka votuar më pak në zgjedhjet komunale.

Kurti është pyetur edhe për deklaratat që kishte dhënë më herët se nuk e ndien flamurin e Kosovës.

“Si kryeministër i Republikës është detyrë e obligim imi flamuri i Kosovës dhe gjithashtu diçka që unë respektoj e përfaqësoj. Është prioriteti im kryesor. Mund të ketë gjëra tjera në programin e lëvizjes sonë”, tha Kurti.

Ai është pyetur edhe për deklaratat që kishte thënë për bashkimin me Shqipërinë.

“Askush nuk duhet të heqë dorë nga ëndrrat e veta. Por, duhet gjithmonë qëndruar realist”, tha Kurti/Koha

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]