Pak orë pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputeti Albin Kurti, i cili vijon të ushtrojë detyrën e kryeministrit pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, ka reaguar me një përmbledhje për arrestimet e fundit që lidhen me bashkëpunimin me shërbimin sekret serb.
Në një postim ne facebook, Kurti ka thënë se gjatë dy viteve të fundit janë arrestuar pesë persona të dyshuar për bashkëpunim me Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA), tre shqiptarë dhe dy serbë.
Ai e ka cilësuar këtë si rezultat të operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.
“Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, këto rrjete kanë tentuar të:
Rishkruajnë historinë për të njollosur luftën e UÇK-së dhe për të mohuar masakrën e Reçakut;
Infiltruar në organizata ndërkombëtare dhe qarqe ekstremiste fetare me synimin për të dëmtuar sigurinë dhe imazhin e Kosovës.
Kurti ka bërë të ditur se një nga të dyshuarit, i identifikuar si A.V., ka pranuar fajësinë pas përballjes me provat.
Ai ka vlerësuar lartë punën e AKI-së dhe institucioneve vendore e ndërkombëtare, duke theksuar se është treguar efikasitet dhe profesionalizëm i lartë në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në fund, Kurti ka bërë thirrje për vigilencë qytetare dhe angazhim të përbashkët për forcimin e sigurisë kombëtare.
“Trajtimi i suksesshëm i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit të përbashkët për siguri kombëtare,” përfundon Kurti.