Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit të Albulena Haxhiut për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një akt që shkon përtej kalkulimeve politike.
Në një takim të mbajtur me gratë e Vetëvendosjes, Kurti theksoi se pengesat ndaj Haxhiut nuk janë vetëm të natyrës politike, por kanë edhe një dimension gjinor, duke akuzuar opozitën për qëndrim patriarkal ndaj grave të guximshme në politikë.
“Lufta kundër kryetarës së GVV-së, Albulena Haxhiu nuk është vetëm përplasje politike a partiake, por edhe përballje gjinore. Refuzimi për ta votuar atë si kryeparlamentare tregon frikën që elitat patriarkale kanë nga gratë e guximshme të cilat sfidojnë status-quon”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Albulena Haxhiu është një ndër politikanet më të votuara në vend, por megjithatë është përballur me refuzim institucional, duke e lidhur këtë me qëndrimet e deputetëve opozitarë për çështje të rëndësishme të së kaluarës.
“Gruaja që më së shumti e ka votuar populli i Kosovës, është Albulena Haxhiu. Në vend se ta respektojnë popullin e luftojnë Albulenën, e bëjnë edhe 10 deputetë që sot janë në opozitë dhe e kanë votu Zajednicën me 27 qershor të vitit 2013, 10 deputetë që sot janë në opozitë, e kanë votuar amnestimin e kriminelëve serbë në veri më 11 korrik 2013, e bëjnë edhe 7 deputetë opozitarë që më 3 gusht të vitit 2015 votuar Gjykatën Speciale, dhe e bëjnë 15 deputetë opozitare që e patën votuar demarkacionin me Malin e Zi me 21 mars 2018”, tha Kurti.
Sipas tij, deputetët që kanë përkrahur këto vendime të diskutuara në të kaluarën, sot po e pengojnë Haxhiun të marrë një pozitë të rëndësishme në legjislativ, duke i pamundësuar edhe kuorumin për votim të fshehtë.
“Këta deputetë të papenduar për këto katër votime aq të këqija nuk e votojnë Albulena Haxhiun, por de bile ia pamundësojnë kuorumin Kuvendit për votim të fshehtë, bile 5 deputetë opozitarë i kanë votuar katër këto të këqija, kurse Albulena Haxhiu asnjërën prej këtyre”, deklaroi ai.