Bashkimi Europian i ka marrë masat e para kundër Kosovës si pasojë e mosshtensionimit të situatës në veri, gjë për të cilën e konsiderojnë përgjegjës Albin Kurtin. Shefi i Qeverisë i konsideron të padrejta ndëshkimet e Brukselit dhe thotë se “do të vazhdojmë” pa bërë kompromis “as me sundimin e ligjit, as me kushtetutshmërinë e vendit”. Opozita është alarmuar dhe po lëviz për të kërkuar “një rrugë të re pa Kurtin”, pasi përmendin “pasoja të paimagjinueshme për vendin”. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili prej ditësh e ka bërë gati një mocion kundër Qeverisë, thotë se rrëzimi i Kryeministrit “është interes kombëtar”.
Ka pesë ditë që Bashkimi Europian e ka njoftuar Qeverinë e Kosovës për disa masa ndëshkuese, që kanë ardhur si pasojë e mospranimit të kryeministrit Albin Kurti për t’i përfilluar kërkesat ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Siç i konfirmoi të shtunën një zëdhënës i BE-së, masat përfshijnë disa ndëshkime serioze.