Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ka kërkuar ndihmë nga bashkatdhetarët për tejkalimin e pandemisë COVID-19, meqenëse në buxhetin e Kosovës natyrisht se ka rënie të të hyrave në njërën anë dhe në anën tjetër gjithashtu ka shpenzime të paparashikuara në kushtet kur sistemi shëndetësore publik është në gjendje aspak të mirë.
“Në komunat që kam vizituar gjatë javës që po lëmë pas kam pyetur edhe për spitalet tona rajonale, për QKMF dhe nevojat janë shumë të mëdha sepse mungesat janë shumë të mëdha andaj është e domosdoshme të mobilizohemi bashkërisht dhe mërgimtarët i ftojmë ta ndihmojnë vendlindjen e tyre, Kosovën e pavarur në këtë krizë shëndetësore të cilën mund ta tejkalojmë nëse jemi dhe punojmë bashkë”, tha Kurti, raporton Indeksonline.
Kurti theksoi se bëhet fjalë për një xhirollogari në thesarin e shtetit ku derdhen mjete edhe nga buxheti edhe nga donatorët ndërkombëtarë, por edhe nga kreditë që po aranzhojmë.
“Bëhet fjalë për një adresës të përbashkët në tejkalimin e kësaj situate. Ndihma ka qenë e vazhdueshme edhe në luftë edhe në paqe, edhe për çlirim edhe për zhvillim, jemi të vetëdijshëm e të ndërgjegjshëm se shteti ynë as për së afërmi nuk ua ka larë borgjin bashkatdhetarëve por duke qenë bashkë besoj se e tejkalojmë këtë krizë e cila paraqet sfidën më të madhe publike në Kosovën e pavarur, e urojmë të ngelet sfida më e madhe shëndetësore për brezin tonë, që të mos kemi të tjera në të ardhmen, por tash na duhet angazhim e përçëndrim maksimal në mënyrë që të dalim sa më shpejtë e më pak pasoja”, shtoi Kurti./Indeksonline/