fbpx

Kurti vizitoi ShSKUK-në, zyra e kryeministrit jep detaje

nga Revista Kosovarja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) me ç’rast takuan Drejtorin e këtij institucioni, Elvir Azizi dhe Drejtorin e Shërbimeve të Përbashkëta Teknike dhe Administrative, Mentor Zejnullahu.

Për këtë ka njoftyar zyra e kryeministrit, të mërkurën.

“Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë kësaj periudhe janë evidente rezultatet dhe kontributi i shtuar, dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë në përkrahje të plotë me qëllim të përmbushjes së objektivave në të ardhmen”.

“Në këtë takim, krahas hartimit të statutit të ri të ShSKUK-së dhe QKUK-së që do të avancojë edhe më tej shërbimet shëndetësore, kryeministri Kurti u njoftua rreth punës në drejtim të përmirësimeve të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, projekteve të reja të cilat planifikohen të realizohen, sa i përket ndërtimit dhe renovimit të disa klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si dhe investimeve në spitalet e përgjithshme regjionale me qëllim të rritjes së përformancës”, thuhet në komunikatë.

“Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi foli për ecurinë e realizimit të planit të Qeverisë në fushën e shëndetësisë dhe për transformimin infrastrukturor të disa klinikave që do të rrisin gamën e shërbimeve dhe do të përmirësojnë kushtet për qytetarët. Ai paraqiti një analizë të përgjithshme të gjendjes infrastrukturore, resurseve njerëzore dhe pajisjeve mjekësore në klinikat QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme”.

“Aty u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me ekspertë të jashtëm, sidomos në degët deficitare me qëllim të përfitimit nga përvoja e shteteve me sistem të avancuar shëndetësor. Temë e posaçme ishte edhe ngritja e trupave profesionale, konsiliumet mjekësore në klinika, si dhe të mekanizmave monitorues me qëllim të mbarëvajtjes së proceseve dhe respektimit të orarit të punës”, thuhet në komunikatë.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]