fbpx

Kurti viziton Klinikën Stomatologjike, njoftohet me tri shërbimet e reja

nga Revista Kosovarja

Me t’u kthyer nga Zvicra, ku kishte qëndruar gjatë kësaj jave për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe i shoqëruar nga drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi vizituan Klinikën e Stomatologjisë.

Aty, përveç bashkëbisedimit me stomatologët, u njoftua nga afër edhe me tri shërbimet e reja në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë, të cilat janë fiksimi i protezave, oksiduli i azotit dhe implantologjia e që kanë filluar në më pak se një vit. Ai vlerësoi lartë shërbimin cilësor e pritjet e shkurta të pacientëve, derisa stomatologët i falënderoi për punën e angazhimin e tyre.

Ai gjithashtu vizitoi Emergjencën dhe Klinikën e Kirurgjisë dhe Ortopedisë, për t’u njoftuar edhe një herë me gjendjen e 13 pacientëve të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës, të cilët i kishte vizituar edhe fundjavën e kaluar, në ditën e aksidentit.

“Mjekët, infermierët po bëjnë krejt çfarë munden edhe dinë. Profesionalizmi edhe përkushtimi i tyre është i lartë dhe gjithashtu pamë, si në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë edhe këtu, rregull e disiplinë, por në të njëjtën kohë edhe pacientë të cilët na treguan drejtpërsëdrejti që janë të kënaqur me shërbimet që marrin dhe me trajtimin që gëzojnë”, tha kryeministri.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]