Edhe pse Beatriçe nuk flet shumë për jetën e saj private, mbrëmja e gjysmëfinales së Eurovision-it në Basel solli një moment të rrallë emocional që s’mund t’i shpëtonte syrit të kamerave, një puthje e ndjerë me partnerin e saj, artistin italian Marcello Batelli, në zemër të arenës ku qëndronte ekipi shqiptar.
Shqipëria u kualifikua me meritë në finalen e madhe që do të mbahet të shtunën, falë performancës elektrizuese të Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm” – një kombinim i etnos shqiptarit me elektronikën moderne që ka rrëmbyer audiencën evropiane.
Por pas shpalljes së kualifikimit, ndërsa publiku festonte, Beatriçe festoi gëzimin me një puthje pasionante, që zgjoi reagime në rrjet dhe emocionoi ndjekësit.
Pak është folur më parë për lidhjen e tyre, ndonëse ai është parë shpesh pranë saj në evente muzikore.
Beatriçe, e njohur për diskrecionin dhe artin e saj të thellë, ka zgjedhur gjithmonë të mbajë një distancë mes vetes dhe zhurmës së portaleve por dashuria, si vetë muzika, nuk fshihet dot gjatë. Ky moment i çiltër, në zemër të një gare kaq të rëndësishme, duket se ishte “shenja” që publiku po priste!
Një dritare e vogël në botën emocionale të artistes shkodrane që, bashkë me zërin e saj, po ndez edhe zemrat jashtë kufijve.
View this post on Instagram