Sa më shumë që vitet po na largojnë nga lufta, aq më shumë disa pjesëtarë të saj po bëhen të huaj për njëri- tjetrin, shkruan “Kosovarja”.
Ishte një kohë, menjëherë paslufte, kur shokët që kishin qenë në front, vizitonin njëri-tjetrin në shtëpitë e tyre, por edhe shkonin në istikame për t’i vizituar vendet ku kishin luftuar bashkë.
Me fqinjin tim, e që tash është polic, shkuam ta vizitonim një bashkëluftëtar të tij. Kur u takuan u përlotën. Pasi pyetën njëri-tjetrin se si i kanë familjet, hipëm në veturë për të shkuar në terrenin e luftës.
Një kaçubë i kishte shpëtuar një ditë lufte. Një shok i tyre kishte rënë aty, kurse këta, të dy, kishin shpëtuar. Ishin fshehur pas kaçubës, e që forcat serbe nuk i kishin hetuar…
Një javë kishin mbetur aty, meqë snajperët serbë shtinin kohë pas kohe… Më pas ishin ngjitur në majën e kodrës, ku tash valëvitej një flamur kombëtar i grisur.
Ç’po ndodhë tash me luftëtarët tanë?!
Njëri thotë se ky e ai kanë luftuar, e një tjetër del e thotë po gënjejnë se nuk kanë luftuar…
Njëri thotë se filan burri ka qëndruar tërë kohën në Shqipëri, e tjetri thotë se ai as në Shqipëri nuk ka qenë, por në Perëndim…
Dhe, pse e bëjnë një gjë të tillë?
Sepse, nuk janë më të një ideali. Janë rreshtuar në parti të ndryshme. I ka prishur politika!
Sidoqoftë, do sende që i bën njeriu në rrethana të caktuara, duhet të ruhen e të mos fliten pas 20 vjetësh se si kinse filan luftëtari sa herë ka kërcitur pushka është fshehur ku ka mundur…
Megjithatë, disa tash janë bërë dikushi në politikë dhe nuk e dinë sa qojnë peshë aty. Ata nuk e dinë ku e kanë vendin, prandaj bëhen “të dijshëm”!
Sidoqoftë, shokët e tyre është mirë t’ua tregojnë vendin ku e kanë ata, që të mos krekosen për kohën që ka ikur që moti… Safet Krivaça /Kosovarja/