Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot, në orën 10:00, për të vazhduar me përpjekjen e 12-të për konstituimin e legjislaturës së re. Ky proces është bllokuar vazhdimisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kryeparlamentarit, raporton Gazeta Sinjali.
PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV-së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.
Në seancën e kaluar, të mbajtur më 5 maj, LVV propozoi që zgjedhja e kryeparlamentarit të bëhet me votim të fshehtë, por kjo propozim u kundërshtua nga partitë opozitare, duke rezultuar në mungesë kuorumi dhe ndërprerjen e seancës. Për këtë arsye, Kuvendi është i bllokuar pa funksionuar plotësisht që nga fillimi i legjislaturës së re.
Në seancat e kaluara, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, duke marrë gjithsej deri në 57 vota.
Në një përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik, lideri i LVV-së, Albin Kurti, i ka dërguar një letër liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duke shprehur gatishmërinë për të formuar një koalicion qeverisës. Derisa, ky i fundit i thotë jo bashkëpunimit me Kurtin, dhe propozon një qeveri të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare.
Në vazhdim të këtij procesi, sot pritet të mbahet një tjetër seancë për të tentuar konstituimin e Kuvendit. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, ky bllokim mund të ketë pasoja për funksionimin e institucioneve të tjera dhe për zhvillimin e proceseve të tjera legjislative dhe ekzekutive në vend.