fbpx

Ky është 53-vjeçari që u gjet i vdekur në rrugë në Prishtinë – Dyshohet se ra nga kati i tretë i një ndërtese të pabanuar

nga Revista Kosovarja

Gazeta Sinjali raportoi më parë për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Flaka e Janarit” në Prishtinë, ku një burrë është gjetur pa shenja jete nga qytetarët.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rreth orës 07:30 të datës 20 qershor 2025, Policia dhe ekipi emergjent janë njoftuar për një trup të pajetë të gjetur në rrugë. Me të arritur në vendin e ngjarjes, mjekët kanë konstatuar se personi kishte ndërruar jetë.

Fillimisht identiteti i viktimës nuk ishte i njohur, por më vonë është bërë identifikimi nga axha i tij, A.S., i cili ka konfirmuar se bëhet fjalë për Elvir Sekiraqën, 53 vjeçar, banor nga Prishtina.

Sipas hetimeve preliminare, dyshohet se viktima ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese të pabanuar që gjendet në afërsi të vendit ku u gjet.

Trupi i pajetë është marrë nga Mjekësia Ligjore për obduksion, ndërsa në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë e hetimeve për të mbledhur prova.

Prokurori kujdestar ka cilësuar rastin si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për sqarimin e rrethanave po vazhdojnë.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, e cila njoftoi se rasti u raportua rreth orës 07:30.

“Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes. Bëhet fjalë për një person të gjinisë mashkullore. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, u shpreh Ahmeti./Sinjali

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]