Një ngjarje e rëndë është zbuluar mëngjesin e së hënës në lagjen “Tuneli i Parë” në Mitrovicë, ku një 54-vjeçar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, disa ditë pasi kishte humbur kontaktin me familjarët.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Eset Fazliu, 54 vjeçar trupi i të cilit është zbuluar më 16 qershor 2025, rreth orës 09:51, pas raportimit të një të afërmi të tij.
Sipas të dhënave të para, B., 69 vjeçar ka raportuar në polici se nipi i tij nuk kishte hapur derën prej tre ditësh, çka kishte ngritur dyshimet për ndonjë ngjarje të rëndë. Pas alarmit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit e Stacionit Jug-Mitrovicë, si dhe njësitë e zjarrfikësve dhe emergjencës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është hapur dera e banesës dhe trupi i pajetë është gjetur në kuzhinë, afër divanit. Mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima nuk kishte shenja jete.
Prokurori ka udhëzuar që rasti të trajtohet si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi është dërguar për obduksion në IML.
Hetimet për këtë rast janë në zhvillim dhe priten rezultatet zyrtare për të sqaruar rrethanat e vdekjes së 54-vjeçarit.