Lady Gaga ka reaguar pas lajmit për një kërcënim me bombë që u parandalua nga autoritetet braziliane para koncertit të saj madhështor në plazhin e Copacabanës, në Rio de Janeiro.
Mbi 2.1 milionë persona ndoqën koncertin falas të divës së popit më 2 maj, në një nga paraqitjet më të mëdha në histori për një artiste femër.
Edhe pse këngëtarja nuk përmendi incidentin në rrjetet sociale, përfaqësuesit e saj konfirmuan për TMZ se ajo nuk ishte në dijeni të komplotit derisa u publikua në media. Ekipi i saj sqaroi se kishte bashkëpunuar ngushtë me autoritetet për sigurinë e ngjarjes dhe kishte besim të plotë në masat e marra, shkruan DailyMail.
Në një postim emocionues në Instagram, Gaga e përshkroi koncertin si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj: “Asgjë nuk mund të më përgatiste për ndjesinë që pata gjatë shfaqjes – krenari, gëzim i pastër dhe një lidhje e thellë me popullin e Brazilit”.
Ajo postoi imazhe nga koncerti dhe falënderoi fansat për mikpritjen dhe dashurinë.
“Pamja e turmës më la pa frymë. Ju dua. Obrigada”, shkroi ajo.
“Rreth 2.5 milionë njerëz erdhën të më dëgjonin – turma më e madhe për çdo grua në histori”.
Koncerti u financua nga qyteti i Rios për të ndihmuar në rigjallërimin ekonomik të zonës, me përfitime të pritshme që shkojnë deri në 100 milionë dollar (afërsisht 93 milionë euro).
Ndërkohë, policia njoftoi se kishte parandaluar një sulm të planifikuar nga një grup ekstremist që rekrutonte të rinj në internet dhe përhapte gjuhë urrejtjeje e nxitje për dhunë. Mes të dyshuarve ishin edhe të mitur.
Janë kryer mbi 15 bastisje në shtete të ndryshme të Brazilit dhe janë arrestuar disa persona, përfshirë një udhëheqës të grupit dhe një adoleshent për posedim të materialeve të paligjshme.
Lady Gaga e mbylli mesazhin e saj me një thirrje për besim, përkushtim dhe dashuri ndaj vetes: “Nëse humb rrugën, mund ta gjesh sërish nëse beson në veten tënde dhe punon fort. Ju dua. Me dashuri, Nëna Përbindësh”.