fbpx

Lazim Destani – figurë si një fanar që ndriçon në horizontin e së ardhmes

nga Revista Kosovarja

Çmimi Kombëtar
“𝐅𝐚𝐝𝐢𝐥 𝐒𝐮𝐥𝐞𝐣𝐦𝐚𝐧𝐢” 𝟐𝟎𝟐𝟓“
Në një botë ku shpesh mbisundon zhurma e fjalëve boshe, figura e Lazim Destanit qëndron si një monument i heshtur, por i fuqishëm i humanizmit të vërtetë.
Ai nuk ka folur shumë për atë që ka bërë, sepse vepra e tij flet vetë – qartë, thellë dhe me një rezonancë që shtrihet përtej kohës dhe kufijve. Ai nuk ka ndërtuar thjesht ndërtesa, por ka ngritur ura edhe atë ura midis brezave, midis të mundurve dhe mundësisë, midis ëndrrës dhe realitetit. Ka qenë kudo ku shpresa ka pasur nevojë për frymë.
Në arsim, ka mbjellë dije. Në shëndetësi, ka sjellë shpresë. Në sport, ka frymëzuar. Në kulturë, ka ruajtur historinë. Në çdo sferë ku njeriu lufton për të qëndruar i denjë, ai ka qenë aty – me mbështetje, me zemërgjerësi dhe me vështrim largpamës. Ai është shembulli se si një njeri mund të bëhet shtyllë e heshtur por thelbësore e një shoqërie që kërkon të rritet me dinjitet.
Ka njerëz që ndërtojnë pasuri. Ka të tjerë që ndërtojnë histori. Por janë të rrallë ata që mbushin zemrat me shpresë, dinjitet dhe besim, Z. Lazim Destani është pikërisht një nga ata njerëz që, përmes filantropisë së tij të palodhur, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen tonë kolektive.
Me një thjeshtësi që i bën nder çdo madhështie, ai ka zgjedhur të jetë afër njerëzve – jo për të marrë duartrokitje, por për të zgjidhur nyje jete, për të çelur horizonte, për të ndriçuar rrugë dhe perspektiva të reja. Ka investuar në arsim, sepse ka besuar se se dija e bën njeriun të lirë. Ka ndihmuar pa bujë, sepse ka ditur se dhurata më e bukur është ajo që bëhet në heshtje.
Çdo veprim i z. Destanit nuk ka qenë vetëm akt bujarie, por një deklaratë e qartë se ky komb ka njerëz që nuk i harrojnë rrënjët, që nuk kthejnë shpinën nevojës, që nuk e shohin suksesin si qëllim në vetvete, por si një mjet për të ndihmuar të tjerët të ecin përpara sepse e ka kultivuar tek vetja filozofinë se ajo që shpërndahet shumëfishohet dhe asesi nuk paksohet.
Shumë shkolla, shumë studentë, shumë familje, shumë të rinj dhe të moshuar mbajnë në kujtesë dhe në zemër dorën e ngrohtë të këtij njeriu që kurrë nuk kurseu për të mirën e përbashkët andaj më 7 Mars 2025, në një atmosferë solemniteti dhe krenarie kombëtare, Universiteti i Tetovës ndau Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani” filantropit të mirënjohur shqiptar, z. Lazim Destani, në kuadër të shënimit të Ditës së Mësuesit – një datë që i përket historisë sonë arsimore e kombëtare, me rrënjë të thella në themelet e shkollës së parë shqipe në Korçë.
Ky çmim, që tashmë është ideuar, etabluar dhe jetësuar me shijen e pagabueshme të kryeveprës, përfaqëson më shumë se një dekoratë nderi – ai është një porosi sublime, një dritë udhëzuese për brezat që vijnë, një kujtesë për figurat që me vizionin, përkushtimin dhe dashurinë ndaj dijes dhe kombit, lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën shoqërore dhe kulturore.
Kontributi i tij në fushën e arsimit, në ndërtimin e shkollave, mbështetjen e studentëve, dhe fuqizimin e identitetit shqiptar, dëshmon për vizionin e tij afatgjatë dhe ndjenjën e thellë të përgjegjësisë kombëtare.
Ky çmim shkëlqen nga fakti i arsyetimit të stërholluar nga Senati i Universitetit të Tetovës, i cili më 27 shkurt 2025, me unanimitet të plotë, vendosi që ky nder i madh t’i takojë një figure që përfaqëson më së miri idenë e përparimit përmes dijes dhe solidaritetit. Ishte një vlerësim i merituar, një akt që thekson rëndësinë e njohjes së kontributit të atyre që nuk kursejnë asgjë për të parë kombin të ecë përpara.
Në fjalën e tij, z. Destani shprehu mirënjohjen për këtë nder dhe përkujtoi me emocion rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm të Universitetit të Tetovës. Ai theksoi se çdo sakrificë dhe investim në arsim sjell fryte të pashmangshme në përparimin e një kombi dhe uroi që ky institucion të vazhdojë të jetë një pikë referimi për dijen, zhvillimin dhe dinjitetin kombëtar.
Çmimi “Fadil Sulejmani” 2025 mbetet një dëshmi se kombi shqiptar ka figura që ndriçojnë si fanarë në horizontin e së ardhmes. Z. Lazim Destani, me personalitetin e tij vizionar, me porositë e tij sublime dhe me kontributin e vazhdueshëm në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e të arsimuar, e bën këtë çmim të fitojë kuptimin e tij më të lartë. Ai është shembulli se si vlerësimi i së mirës, kur bëhet me zemër dhe me mendje të kthjellët, shndërrohet në vepër të përjetshme.
Në përmbyllje nuk mund të mos theksojmë rolin që i faturohet Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani” si shumë më tepër se një trofe. Ai përmban përveç dimensionit simbolik edhe atë historik që bart në vetvete historinë e përpjekjes për dije, sakrificën për përparim dhe krenarinë për vlerat tona kombëtare.
Vetë jeta dhe vepra e z. Destani është një shembull për t’u admiruar – një testament i gjallë se filantropia, humanizmi dhe përkushtimi ndaj arsimit janë ndër aktet më fisnike që mund të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e rinj.
Ky çmim nuk është vetëm një falënderim për atë që është bërë, por një ftesë për të gjithë ne, që të besojmë, të veprojmë dhe të ndërtojmë me dashuri e vizion, ashtu siç bëri z. Lazim Destani.
Emri i tij do të kujtohet jo për çfarë ka arritur vetë, por për çfarë ka ndihmuar të tjerët të arrijnë.
Prof. Dr. Vullnet Ameti

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]