Është lansuar aplikacioni “OneFor” i cili shërben për kryerjen e shërbimeve financiare përmes telefonit, ku me këtë rast Kosova është bërë destinacioni i radhës që “OneFor” e ka futur në hartën e shteteve krahas atyre të Bashkimit Evropian, për të ofruar aplikacionin më të avancuar për shërbime financiare digjitale.
Afaristi i madh shqiptar, Lazim Destani, në faqet e tij në rrjete sociale, ka shprehë kënaqësinë për këtë risi që po e sjellin në Kosovë.
“Kësaj radhe nuk mund ta fsheh kënaqësinë time për risinë më të fundit që i sjellim Kosovës, Platformën OneFor. Përmes një ceremonie festive këto ditë në Prishtinë, lansuam këtë platformë për shërbime financiare digjitale. Gëzohem kur në trojet tona sjellim risi dhe ecim me hapin e kohës duke i ndjekur përparimet e shpejta të teknologjisë e duke i bërë ato të dobishme për gjithë rajonin tonë. Platforma OneFor sjell më shumë lehtësira, siguri, liri dhe shpejtësi në shërbimet financiare si dhe ka bërë që edhe Kosova të jetë tashmë në mesin e vendeve europiane ku ajo operon. Shpresoj sa më shpejt ta shtrijmë lansimin e OneFor në të gjitha vendet e rajonit tonë Për pjesëmarrjen e tyre në këtë inaugurim solemn, falënderoj gjithë miqtë, afaristët, partnerët tanë dhe autoritetet shtetërore, politike e diplomatike mes të cilëve Ministrin e Financave Hekuran Murati, Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, dhe Zv.Ambasadorin Gjerman në Prishtinë Matthias Conrad. Kompania OneFor Holding GmbH e themeluar para dy vitesh në Gjermani, me shtrirje edhe nëpër BE, nuk është vetëm një hap i madh përpara për Kosovën, por edhe synon avancim rrënjësor të shërbimeve financiare digjitale gjithandej nëpër botë”.
Të kujtojmë që “OneFor” shërben si një platformë financiare që adreson nevojat e përgjithshme të qytetarëve dhe ofron zgjidhje për pagesa të menjëhershme dhe transfere të parave në kohë reale dhe ekonomike.
“OneFor” është një platformë financiare digjitale që lidh përdoruesit me mënyra të përshtatshme, të thjeshta dhe të sigurta të pagesave.