Se a do të vazhdohet me qeverisjen e zgjedhjeve të datës 6 tetor të vitit të kaluar, apo do të bie qeveria Hoti, do të varet, kryesisht, nga marrëveshja mes dy partive verbalisht në konfrontim, por tradicionalisht në pushtet të përbashkët. Pra, të LDK-së e PDK-së, shkruan “Kosovarja”.
Aktualisht LDK-ja mban timonin e qeverisë, por nuk është e sigurt me partnerët e koalicionit aktual, sado që në publik konfirmojnë stabilitet qeveritar.
AAK-ja e NISMA janë të pakënaqura në këtë qeveri, shkaku i mospajtimeve të herëpashershme me kreun qeveritar.
Megjithatë, që nga rrëzimi i qeverisë Kurti, LDK-ja e PDK-ja kanë mbajtur relacione konsultimesh që kanë dalë shumë pak në qarqe okulare, por nuk kanë arritur marrëveshje për një qeverisje, e që do e bënte më stabile qeverinë Hoti.
Aktualisht, sipas burimeve jozyrtare, janë rihapur bisedimet mes këtyre dy partive, duke vënë në tavolinë disa opsione…
Flitet se PDK-ja po e kërkon kryeministrin, kurse LDK-ja presidentin. PDK-ja po i kërkon ministritë e rëndësishme, si kusht për ta vazhduar punën qeveria aktuale.
E, në rast se marrëveshja dështon, gjasat janë që mocioni i VV-së të plotësohet me përkrahës të tjerë, që do e qojnë në 40 numrin e nënshkruesve, e PDK-ja do e votojë rrëzimin e qeverisë Hoti.
Sidoqoftë, me një gjendje të mjegullt në LDK, pas përplasjeve të vazhdueshme të Vjosa Osmanit me kreun e partisë së saj, LDK-ja nuk është e bindur se do të dalë e dyta në zgjedhjet e ardhme.
VV-ja llogaritë se do fitojë nga aksioni i Gjykatës Speciale, e që do e godet, kryesisht, PDK-në, duke i hendikepuar disa figura që mund të privohen nga e drejta votuese.
Prandaj, nuk është edhe rastësi që Kurti e tha para ca ditësh se në zgjedhjet e ardhshme do i mposhtë vetë të dy partitë rivale.
Gjendja, megjithatë, nuk është si tha Kurti, sepse edhe në VV ka rënie drastike të atyre që e kanë votuar Kurtin dhe VV-në, në një moment pakënaqësie të popullatës, duke menduar se Albin Kurti do e sjellë parajsën në Kosovë.
Albin Kurti, me sjelljen oportune ndaj Amerikës në kohën sa ishte kryeministër, si dhe i shpallur antiamerikan dhe i padëshiruar për SHBA-të, e ka humbur përkrahjen në masën qytetare.
Dhe, duke marrë parasysh skenën politike në vend dhe zhvillimet kaos në LDK e PDK (Vjosa Osmani, në një anë dhe Gjykata Speciale, në anën tjetër), nuk ka teori që ndonjëra prej këtyre dy partive të fitojë mbi 25% të votës së qytetarëve.
Andaj, me një gjendje të tillë në vend, partitë tona duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëra–tjetrën për të mirën e shtetit…
Në të kundërtën, vijat e kuqe nuk japin rezultate. E, këtë e dëshmoi edhe qeverisja shumë e shkurtër e Albin Kurtit. Safet Krivaça /Kosovarja/