Me gjendjen aktuale të inateve të liderëve tanë, shteti i Republikës së Kosovës nuk pritet të ketë asnjëherë qeveri funksionale, shkruan “Kosovarja”.
Gati secila parti ka vija të kuqe me një subjekt tjetër politik, ndërkohë që tash për tash tri partitë e mëdha, e që kanë përafërsisht vota të njëjta, kanë armiqësi të fortë ndërmjet veti.
VV-ja e kishte të vetmen preferencë partneriteti qeverisës LDK-në, por, së fundi, u pa haptazi urrejtja ndaj njëra-tjetrës.
LDK-ja, shkaku i disa individëve dhe deputetëve që nuk e duan PDK-në, i ka thënë jo koalicionit me partinë e Kadri Veselit.
Ndërkohë PDK-ja nuk ka vija të kuqe me asnjë parti dhe e ka më lehtë të bëjë zgjidhje për formim të qeverisë, nëse do t’i jepej rasti në zgjedhjet e radhës.
Megjithatë, skena politike e Kosovës duhet të duket pak a shumë kështu për të funksionuar shteti:
VV-ja duhet t’i heqë vijat e kuqe për PDK-në, ndërkaq LDK-ja t’i heqë vijat e kuqe për PDK-në.
Dhe, këto të fundit, gjithashtu, duhet t’i heqin për VV-në, nëse trendi i tri partive të mëdha vazhdon të mos pësojë ndryshime pas zgjedhjeve të ardhshme…
Por, ajo që më së shumti duhet të reformohet është VV-ja, e që është tepër e zorshme, sepse lideri i saj, Albin Kurti, nuk pritet të pësojë ndryshime në raport me të tjerët.
Albin Kurti duket se ka ëndërruar shumë dhe ka pak myshterinj që t’u shesë mend autoritare e gatishmëri për të qeverisur me të tjerët sipas diktatit të tij.
E, krahas tri partive të mëdha, AAK-ja pritet të jetë në tregun politik të Kosovës, si parti që do të mund të ekzistojë, por jo të jetë faktorizuese për të qeverisur vendin.
Ndërkaq, NISMA do të duhej të kthehet kah ka ardhur, për të bërë një forcë të pakontestuar politike në Kosovë, siç është PDK-ja.
Kurse, partitë e tjera minore, e që janë me nga një e dy për qind, duhet të shkrihen në subjekte të tjera, apo të hyjnë në koalicion parazgjedhor, në mënyrë që të fitojnë sado pak.
Esencialisht, do të jetë e qartë se tri partitë e mëdha do të jenë konkurrente në garën e votës.
Me një VV, siç është sot, asnjëra parti e madhe nuk do të kishte praktikisht mundësi qeverisjeje në një partneritet. E, këtë e dëshmoi sjellja e Kurtit me LDK-në!
Megjithatë, PDK-ja dhe LDK-ja do të ishin zgjidhja më e mirë për qeverisje të përgjegjshme. Do të ishte, mbase, funksionale sikur të ishte me to edhe AAK-ja, sepse vota dhe fuqia e tyre do ta defaktorizonte “Listën Serbe”.
Sidoqoftë, është koha që skena politike në Kosovë ta merr formën e vet të funksionimit, por edhe Kushtetua, në disa pika, duhet të qartësohet.
E, kur kësaj i shtohet edhe ndryshimi i ligjit zgjedhor, partitë politike me kohë do i japin shtetit qeverinë.
Megjithatë, deri më tani asnjëherë nuk ka ndodhur të formohet qeveria pa u bërë, të paktën, gjashtë muaj përpjekje e dallavere, sepse, për fat të keq, kohë për manipulim u mundëson ligji i tashëm zgjedhor! Safet Krivaça /Kosovarja/