Njësia elite e Policisë së Kosovës (FIT) dhe ajo për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtesat për rrezikshmërinë në punë, të ndarë në shtatë kategori.
Një përfaqësues i këtyre njësive elite policore tha se kërkesat e tyre janë: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.
Në anën tjetër, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës, pasi analizoj zhvillimet e fundit duke përfshirë edhe propozimin e Qeverisë për shtesat për rrezikshmëri, ka dalë me kërkesë që shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, që ka qenë në shtatë nivele duke filluar nga 105 euro dhe më larta 215 euro, ose me përqindje në pagën bazë duke filluar nga 25% deri në 50%.
“Sindikata e Policisë së Kosovës përkrahë të gjitha kërkesat e arsyeshme dhe legjitime të secilit zyrtarë policorë dhe punonjësve tjerë mbështetës të Policisë së Kosovës.
Sa i përket propozimit të Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë, vlerësojmë se janë të ulta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës, prandaj janë të pa pranueshme për secilën kategori, janë diskriminuese për të gjitha njësitë, sepse të gjithë zyrtarët policorë përballen çdo ditë me rrezik dhe kjo e dëshmon me numrin e zyrtarëve policorë që e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Nesër pritet të mbahet edhe një protestë tjetër e Njësive Speciale, po ashtu para objektit të qeverisë.
Ndërsa me ligjin e policisë, personeli policor nuk ka të drejtë të bëj grevë, por ka të drejtë t’i shprehë pakënaqësitë e tij nëpërmjet protestave të organizuara dhe të udhëhequra nga organet përfaqësuese.