fbpx

Magjistralja Prishtinë-Ferizaj në shumë vende vështirë kalohet

nga Revista Kosovarja

Reshjet e shiut gjatë natës së diel, kanë vërshuar gati në tërësi magjistralen Prishtinë-Ferizaj në disa vende, shkruan “Kosovarja”.

Veturat në pjesën ndërmjet fshatit Babush i Serbëve dhe atij Banullë, thuajse nuk mund të kalojnë. Shumë vetura kanë mbetur të fikura mbi ujë. E, disa të tjera shihen të parkuara pranë rrugës me ujë.

Në orën 6 të mëngjesit njësitet e Policisë së Kosovës ishin të pranishme në disa prej këtyre vendeve, ku veturat kanë pësuar aksidente, si pasojë e daljes nga rruga. Një aksident i tillë qe edhe afër fshatit Banullë.

Gjendje e rëndë sot është edhe në afërsi të aksit rrugor Lipjan-Janjevë dhe te fshati Konjuh, ku kanë mbetur shumë vetura në ujë.

Vërshime me pamje lumi shihen edhe në aksin rrugor Lipjan-Prishtinë deri te hekurudha Kishnicë-Fushë Kosovë, në të cilën kanë mbetur të fikura shumë vetura. Vetëm ndonjë kamion a xhip mund të ketë arritur në Prishtinë në orët e hershme të mëngjesit.

Sipas burimeve të sigurta, një urë në rrugën “Afrim Zhitia” në Lipjan, është shkatërruar nga vërshimet. Andej kanë mbetur katër shtëpi të bllokuara, në izolim.

Në anën tjetër, shkaku i reshjeve të fuqishme, gjatë natës së diel, shumë fshatra të rrafshit të Kosovës, përgjatë kësaj rruge, kanë qenë pa rrymë.

Andaj, meqë gjendja e përgjithshme në magjistralen Prishtinë-Ferizaj është vështirë e kalueshme, nuk preferohet të shkohet andej derisa të mos ndalen të reshurat.

Megjithatë, të reshura atmosferike të intensitetit pak më të ulët, thonë meteorologët, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Andaj, priten rreziqe të reja. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]