fbpx

Maqedonci: Sulmi në Banjskë, i influencuar edhe nga shërbimi sekret rus

nga Revista Kosovarja

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se Serbia më 24 shtator 2023 në sulmin në Banjskë të Komunës së Zveçanit tentoi të aneksojë një pjesë të territorit kosovar me influencimin edhe të shërbimit sekret rus, raporton Anadolu.

Maqedonci, i cili mori pjesë në Samitin e Ballkanit për Dezinformata, tha se lufta në Ukrainë ka ndikuar edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Më 24 shtator të vitit të kaluar një grup i armatosur dhe i uniformuar i mbështetur nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka tentuar një kapje terreni, pra, një invazion të pjesshëm të një pjese të territorit të vendit tonë dhe vlerësoj që, kjo nuk është bërë rastësisht, kjo është bërë edhe me influencën që shërbimi sekret rus ka në shoqërinë serbe por edhe në institucionet e Republikës së Serbisë”, theksoi Maqedonci.

Ai tha se mposhtja e Rusisë në Ukrainë do të ishte një fitore për të gjithë dhe një mundësi që të vazhdojë integrimi i Ballkanit Perëndimor në strukturat euro-atlantike.

“Pa mposhtjen e Rusisë në Ukrainë, nuk do të kemi një rezultat të qartë se nga do të anojë, apo nga do ta mbajë pozicionin e saj Republika e Serbisë. Vlerësojmë që presidenti Vuçiq, politika aktuale në Serbi, janë duke neglizhuar çështjen e përmbylljes së dialogut, duke neglizhuar çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes me qëllim që të presin rezultatin e luftës në Ukrainë”, theksoi ministri kosovar.

Ministri Maqedonci në këtë samit, i cili mblodhi njohës të fushës së luftimit të dezinformatave nga vendet e rajonit, tha se FSK-ja gjithmonë i lufton dezinformatat në mënyrë profesionale, duke filluar me një analizë të informacionit. Ai tha se në kuptimin e mbrojtjes, dezinformata nënkupton edhe pjesën e mashtrimit operacional, pra, kur kundërshtari dezinformon jo vetëm me qëllim të krijimit të një ambienti të paqartë, por edhe për të krijuar mundësi që të bëjë një mashtrim operacional për forcat që zhvillojnë mbrojtjen e vendit.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]