Një studim i ri i publikuar në revistën “Alzheimer’s & Dementia”, ka zbuluar se individët e pamartuar – përfshirë ata që nuk janë martuar kurrë, të divorcuar apo të ve – kanë një rrezik 50% më të ulët për të zhvilluar demencë, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre të martuar.
Ky studim është realizuar në SHBA dhe ka përfshirë mbi 24,000 persona të moshës 50 deri në 104 vjeç, të cilët janë ndjekur për një periudhë 18-vjeçare. Gjatë kësaj kohe, ata iu nënshtruan testeve të rregullta neuropsikologjike për të vlerësuar gjendjen e tyre njohëse. Që në testin fillestar, disa pjesëmarrës shfaqën shenja të një deficiti të lehtë njohës, por tek ata që nuk ishin të martuar, kjo gjendje rrallëherë përparonte në demencë të plotë.
Për të garantuar saktësinë e rezultateve, studiuesit morën parasysh faktorë të tjerë ndikues si mosha, gjinia, etnia, niveli arsimor, pirja e duhanit dhe gjendja e përgjithshme fizike dhe mendore.
Sipas autorëve të studimit, personat e martuar kanë prirje të jetojnë më të izoluar shoqërisht dhe në një rutinë të strukturuar, gjë që mund të ndikojë negativisht në stimulimin e trurit. Ata theksojnë se izolimi në universin e përditshëm të çiftit mund ta bëjë trurin më të ndjeshëm ndaj rënies njohëse. Ndërkohë, beqarët janë shpesh më të pavarur dhe më të përfshirë në aktivitete sociale, duke e mbajtur kështu mendjen më aktive.
Megjithatë, studiuesit kujtojnë se këto gjetje nuk janë përfundimtare. Hulumtime të mëparshme kanë treguar se martesa mund të ofrojë njëfarë mbrojtjeje ndaj demencës, përmes mbështetjes emocionale dhe ndërveprimeve të përditshme me partnerin.
Në përfundim, autorët sugjerojnë se një jetë më aktive dhe më pak e përfshirë në rutinë, mund të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit të trurit dhe në uljen e rrezikut për zhvillimin e demencës.