fbpx

Maskat e fytyrave po ndërrohen më shpesh se rrobat në trup

nga Revista Kosovarja

Ka ditë kur thua: Ç’po ndodh kështu me mua? Pse jam kaq i palumtur?

E, menjëherë pason pyetja nga ai me të cilin je në ato momente: Ka ndodhur diç apo e ke nga monotonia e përditshme?

Dhe ti, nëse i tregon se nuk e di arsyen as vetë, por ja, thjesht, pa ndonjë arsye të prekshme e ndien mërzinë në shpirt, e ndien dhimbjen e të jetuarit në teatrin e jetës, të botës, ku maskat ndërrohen më shpesh se rrobat në trup. Ai sikur mundohet të ngushëllojë me fjalët:
Kështu janë të gjithë. Pa merak. Mësohu!

Çfarë ironie?
Të mësohem edhe unë?! Të mësohem me çfarë?!
Po t’i përgjigjesha me këto fjalë, ai mund të ta kthejë:
Mësohu me pritje dhe nuk do të zhgënjehesh!
Kjo i bie që duhet ta zhveshësh veten nga ëndrrat dhe nga dëshira për një jetë ndryshe. Mos ëndërro, mos dëshiro asgjë dhe nuk do të zhgënjehesh.

Nëse nuk do të zhgënjehesh, sipas kësaj mendësie, atëherë nuk do të kesh arsye as të mërzitesh.
Por, nuk kam fuqi më as të aktroj. Më ka humbur fuqia të aktroj, duke e fshehur dhembjen, të aktroj për buzëqeshjen… të cilën buzëqeshje ma ka vrarë përditshmëria e sotme. Kam harruar kur kam buzëqeshur me zemër, me shpirt…

Më duhet të shndërrohem në diçka që e harxhon kohën dhe që e shtyn ditën. Të mos jem vetvetja…

Nganjëherë ëndërroj sikur jam një flutur që fluturon sa këndej e sa andej… Pastaj, më ikë ëndrra, zgjohem dhe shoh se sërish jam unë.
Nuk di nëse jam njeri që ka ëndërruar të jetë një flutur, apo një flutur që ka ëndërruar të jetë njeri?

E thoshte Dostojevski: “Ma jep një dhimbje që t’u jap një kryevepër!”.
Eh, sa kryeveprat do të ishin artikuluar, shkruar me dhimbjet që janë në këtë jetë!
Por, shihemi nesër, është premtimi më i bukur që mund të bëhet…
Nesër, nesër, nesër…

Gani Dili

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]