Maturantët serbë kanë defiluar sot në pjesën veriore të Mitrovicës, ku gjatë manifestimit janë shënuar edhe disa incidente me karakter provokues. Provokimet kanë nxitur reagimin e disa të rinjve shqiptarë që ndodheshin aty afër.
Për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të situatës, në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë policia e Kosovës.
Zëvendëskomandanti i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, e ka konfirmuar për Insajderin se ndërhyrja e policisë ka qenë e menjëhershme me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
“Gjatë festimit të maturës ka pasur provokime dhe për të mos ardhur deri te eskalimi i situatës, policia ka reaguar. Situata është qetësuar dhe maturantët kanë vazhduar festën e tyre. Ndërsa nuk ka pasur arrestime,” ka deklaruar Elshani për Insajderin.
Sipas tij, situata aktualisht është e qetë dhe nën kontrollin e plotë të autoriteteve.