fbpx

Mbi 1200 raste aktive me koronavirus në Kosovë

nga Revista Kosovarja

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se gjatë së dielës janë regjistruar edhe 87 raste të reja me koronavirus.

Ka shkuar në 2 mijë e 677 numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë, kjo pasi që sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, vetëm gjatë së dielës janë regjistruar edhe 87 raste të reja.

Instituti bën të ditur se 2 mije e 677 persona që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus janë nga 23.339 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Sipas të dhënave zyrtare të IKSHPK-së, janë 49 persona që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi, por të cilët kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Po ashtu IKSHPK-ja ka njoftuar se që nga muaji mars kur edhe është evidentuar rasti i parë me koronavirus e deri më sot janë shëruar 1 mijë e 425 persona.

Bazuar në këto të dhëna të IKSHPK-së, Kosova aktualisht ka 1 mijë e 203 raste aktive me koronavirus.

Duke e parë rritjen e rasteve me të infektuar me COVID-19, të dielën IKSHPK-ja ka bërë apel te qytetarët që të zbatojnë çdo rekomandim të dhënë deri më tani.

“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, thuhej në njoftim.

Po ashtu, IKSHPK-ja ka paralajmëruar të gjithë qytetarët dhe bizneset.

“Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar. Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”, bën të ditur Instituti.

Po ashtu Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ua ka bërë të qartë qytetarëve se bartja e maskave është obliguese për secilin qytetar.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]