fbpx

Mblidhet Kuvendi, debat parlamentar për situatën në veri

nga Revista Kosovarja

Kuvendi i Kosovës nesër pritet të mbajë një seancë të veçantë, ku pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë situata në veri të vendit.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, se nga ora 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mbaj seancë të veçantë, ku pritet të zhvillohet debat parlamentar për situatën në veri të Kosovës pas protestave të dhunshme në tri komunat në veri.

Mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për raportimin e Kurtit në Kuvend lidhur me situatën në veri e kanë kërkuar dy partitë opozitare PDK dhe LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, tha se kanë të gjitha grupet parlamentare kanë kërkuar që të mbahet një seancë ku do të raportojë kryeministri Kurti për gjendjen në veri.

Ai pas mbledhjes së Kryesisë, tha se si parti nuk do të rrimë duar kryq, duke shtuar se duhet të sanohet dëmi i shkaktuar nga Qeveria pas sanksioneve nga Amerika.

Po ashtu, edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media ditën e djeshme, ka thënë se ka tri kërkesa për të ndalur degradimin që sipas tyre ka sjellë kryeministri Albin Kurti.

Si kërkesë të parë, Abdixhiku ka thënë se është mbajtja e një seancë e jashtëzakonshme raportuese për gjendjen në veri, për të cilën tha se e kanë ftuar Kurti dhe se presin kthimin e tij për të raportuar për relacione te rënduara të Republikës së Kosovës me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në.

Nga ana tjetër, kreu i partisë tjetër opozitare, AAK, Ramush Haradinaj ka njoftuar dje në konferencë se partia e tij do të iniciojnë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, pas zhvillimeve në veri.

Ndryshe, protestat në tri komuna veriore kanë filluar më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]