Princesha Elisabeth, mbretëresha 23-vjeçare e ardhshme e Belgjikës, sapo ka përfunduar vitin e saj të parë në Universitetin e Harvardit, por ndalimi i vendosur nga administrata e Presidentit të ShBA-së Donald Trump për studentët e huaj që studiojnë atje, mund të rrezikojë vazhdimin e studimeve të saj.
Administrata Trump i revokoi Universitetit të Harvardit të enjten mundësinë për të regjistruar studentë ndërkombëtarë dhe po i detyron studentët e huaj aktualë të transferohen në shkolla të tjera ose të humbasin statusin e tyre ligjor në ShBA, ndërsa kërcënon gjithashtu të zgjerojë masat e rrepta në kolegje të tjera.
“Princesha Elisabeth sapo ka përfunduar vitin e saj të parë. Ndikimi i vendimit (të administratës Trump) do të bëhet më i qartë vetëm në ditët/javët në vijim. Aktualisht po e hetojmë situatën”, tha zëdhënësja e Pallatit Mbretëror belg, Lore Vandoorne.
“Po e analizojmë këtë për momentin dhe do t’i lëmë gjërat të rregullohen. Shumë gjëra mund të ndodhin ende në ditët dhe javët në vijim”, shtoi drejtori i komunikimit të Pallatit, Xavier Baert.
Elisabeth po studion Politika Publike në Harvard, një program dyvjeçar masteri që sipas faqes së internetit të universitetit zgjeron perspektivat e studentëve dhe mpreh aftësitë e tyre për “karrierë të suksesshme në shërbimin publik”, transmeton klankosova.tv.
Princesha është trashëgimtare e fronit belg, si më e madhja nga katër fëmijët e lindur nga Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde. Përpara se të ndiqte Harvard, ajo mori një diplomë në histori dhe politikë nga Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar.
Harvard tha të enjten se masa e administratës Trump – e cila prek mijëra studentë – ishte e paligjshme dhe përbënte hakmarrje. /Klankosova.tv