fbpx

Me çka merren e me çka nuk merren kandidatët për zgjedhjet lokale?

nga Revista Kosovarja

Kosova qendrore përfshin, kryesisht, komunën e Lipjanit, si arterie lidhëse infrastrukturore me rajonin e Prishtinës, Ferizajt e Gjilanit. Nga pas lufta e deri më tash, në Lipjan zhvillohen fushata të ashpra politike, në të cilën garë akterët kryesorë janë LDK-ja dhe PDK-ja, shkruan “Kosovarja”.

Fushatat zhvillohen, kryesisht, për jetë urbane, asfalte, ujësjellës, kanalizim, ndriçim dhe trotuare që  po bëhen trend i projekteve komunale.

Kryetari aktual, Imri Ahmeti, është i vetmi që u është përgjigjur kërkesave të rajonit komunal. Ka asfaltuar  të thuash çdo rrugicë publike dhe nuk ka lënë pa shtruar asnjë rrugë lagjeje nëpër fshatra. Madje, shumë fshatra edhe janë ndriçuar…

Lipjani ekologjikisht, që është një kriter për integrime në BE, ka dy palë “mushkëri” që i mbushë me oksigjen popullatën.

Rajonin e Shalës dhe atë të Gadimes me kodrat “Murturi” dhe “Surgjaku”, mbi të cilat shtrihen  pishat dhe malet.

Së fundi, kryetari Ahmeti e ka shtruar një rrugë deri te pishat, që synon një shëtitoreje urbane, vend ku deri më tani ka dominuar ujqit, dhelprat dhe macet e egra.

Dy rrugë qojnë te shëtitorja e re që po e ngritë komuna e Lipjanit. Njëra prej rrugëve që qon te shëtitorja, ku gravitojnë së paku 700 familje, është  krim ekologjik. Nga të gjitha anët aty i sjellin bagëtitë e ngordhura, mbetjet e kurbaneve etj.

Prania e qenve të rrezikshëm që shkojnë pas coftinave është e madhe. Pranë varrezës së re, që ndahet nga toka ish-kolektive, kalimi është i pamundur, sa shkaku i qenve, po aq i kutërbimit.

Dhe, veç gjërave që i përmendëm, ajo pjesë është shndërruar në deponi bërlloku. Gjatë natës nga kamionët hedhen mbetje ndërtimore, goma automjetesh, dyshekë, shtretër, thasë të mbushur me gjësende medicinave dhe rroba të të vdekurve.

Të gjitha këto janë të pranishme në vendin “Lugu i Sylës”, afër gurthyesit “Niti”, e deri te gurëthyesi “Gërlica”, rrugë që qon te shëtitorja e re.

Por, asnjë kandidat për asamblenë komunale e asnjë kandidat për kryetar komune nuk ka folur për këtë deponi të rrezikshme nga qentë endacakë e as për krimin ekologjik që e ka shkatërruar fshatin më të madh në Kosovë, 18 mijë banorë, Gadimen.

Sidoqoftë, kandidatët për asamblenë komunale as që i dinë këto probleme, e, po ashtu, as kandidatët për kryetar nuk merren me këtë problem.

Andaj, tash kur po afrohet fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të tetorit, do të jetë pikëpyetje nëse dikush do e ngritë zërin për këto deponi.

Kodra me materie eksploduese

Katër gurëthyes e ngarkojnë fshatin nga pluhuri i mjeteve të rënda transportuese. “Te pishat”, e që u shërbente shkollave dhe nxënësve për ekskursione dhe krose pranverore e vjeshtore, ajo pjesë është uzurpuar nga një qytetar i Gostivarit të Maqedonisë!

Dikush thotë se ia ka shitur komuna, dikush thotë atë njeri e ka ndihmuar PDK-ja nën qeverisjen e Shukri Bujës, e dikush…

Por, askush nuk e di të vërtetën e këtij uzurpimi, në të cilin ka filluar të ndërtohen restorante, kafe dhe çka jo tjetër…

Gjithë ai uzurpim, fillimisht, ka ndodhur nën pretekstin e ngritjes së një ferme të dhive. Pastaj, janë ndërtuar disa shtëpi dhe është zgjeruar uzurpimi…

Gadimasit janë të indinjuar me ketë sjellje të komunës, andaj kanë kërkuar sqarim në asamblenë komunale, por e vërteta e këtij uzurpimi nuk është sqaruar kurrë.

Po ashtu, në kodër ndodhen disa tunele nënkodrinore, e që posedojnë materie të rrezikshme eksploduese, për të cilat kurrë askush nuk e ka pyetur popullin.

Andaj, gadimasve u është zënë fryma me ndërtime e uzurpime, me gurëthyes që operojnë edhe pa leje…

Kështu, një vend me oksigjen i Lipjanit, Gadimja, më nuk është funksional dhe po “vdes” dita-ditës, ndërkaq asfaltet rrugore lulëzojnë nëpër lagje e mëhalla.

Në anën tjetër, Lipjani lëngon nga vërshimet përreth magjistrales Prishtinë-Shkup dhe kjo ndodh shkaku i ndërtimeve të egra që kanë ndodhur pas lufte.

Lipjani, po ashtu, lëngon nga migrimet e mëdha, siç është rasti me fshatin Okllap, ku një pjesë e hapësirës agrare është lënë dhe po braktiset dita-ditës.

Andaj, është mirë që kandidatët për asamble t’i inicojnë këto probleme në zgjedhjet lokale të tetorit. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]