fbpx

Mërgime e Xhem Aliu, çifti më i famshëm i rrjeteve sociale

nga Revista Kosovarja

Mr.mrs.aliu është blogu shumë i njohur në “Instagram” i çiftit Mërgime e Xhem Aliu, të cilët kanë vendosur që në këtë rrjet social të prezantojnë copëza nga jeta e tyre, shkruan “Kosovarja”.

Mërgimja, femër e zgjuar, profesioniste e flokëve, e suksesshme në biznes, e pashme, elegante dhe me stil, me origjinë është nga Lugina e Preshevës, e lindur dhe e rritur në Zvicër në kantonin Sangall.

Ka biznesin e saj “Meana Hair”, punon frizere dhe ka një klientelë tejet të kënaqur. Është blogere e famshme dhe bashkëshorte e nënë e lumtur e një vajze.

E, Xhemi është njeri i jashtëzakonshëm, punëtor i pandalshëm dhe burrë që çdo situatë e merr me të lehtë. Ai është nga Saraj i Shkupit, i lindur e rritur në Zvicër në kantonin Sangall. Punon në punë shteti në “SBB” dhe publikisht njihet nga blogu Mr.mrs.aliu.

28-vjeçarët, tashmë të famshëm, kulmin e lumturisë e kanë arritur para katër vitesh, atëherë kur u bën prindër të Tuanes, që është dashuria dhe pasuria më e madhe që kanë.
Në “Kosovare” flasin për jetën, punën dhe gjithçka rreth tyre…

Qe sa vjet jeni bashkë?
– Jemi bashkë qe njëmbëdhjetë vjet e gjysmë. Të lumtur dhe të pandarë.

Ku dhe si jeni njohur?
– Mesiti ynë ka qenë “Facebook”-u. Pra, jemi njohur dhe kemi folur përmes këtij rrjeti social.

Mërgime, çfarë mendove kur e pe Xhemin për herë të parë?
– Xhemi, fillimisht, ka qenë shumë i turpshëm, ama qesharak. Dinte të krijonte situata komike. Momentin e parë kur e kam njohur, kam thënë me vete: Sa dhëmbët e bukur!

Xhem, a mendoje se Mërgimja do të jetë bashkëshortja e nëna e fëmijëve të tu?
– Kam qenë shumë i ri, i kam pasur vetëm 17 vjet dhe nuk kam menduar shumë për të ardhmen. Por, shpejt e kam kuptuar se Mërgimja do të jetë gruaja e jetës sime dhe nëna e fëmijëve të mi.

Cili është momenti më i bukur i jetës si çift?
– Kemi shumë momente të bukura. Ishte fillimi, bashkimi ynë, pastaj ka një mori momentesh të paharruara. Kujtojmë fejesën, martesën dhe hapat e parë në jetën tonë si çift.
Gjithsesi, i paharrueshëm mbetet momenti kur u bëmë prindër për herë të parë dhe, kështu, u kompletua gjithçka.

Jeni prindër të lumtur të një vajze. Si është jeta me një fëmijë dhe me kaq shumë angazhime?
– Jeta jonë prej se jemi bërë prindër nuk mund të përshkruhet me asnjë fjalë. Çdo gjë që e bëjmë është për vajzën tonë.
Edhe familjen e kemi afër për të na mbështetur në çdo hap, edhe kur kemi më tepër angazhime për t’u përkujdesur për vajzën.

A ziheni ndonjëherë, a keni momente xhelozie dhe cili jeni më xheloz?
– Nuk ka çift që nuk zihen, madje, kush thotë kështu edhe gënjen. Unë jam më provokuese, kurse Xhemi është më “chill”.
Në fillim të lidhjes ka qenë Xhemi tepër xheloz, pastaj unë. Tani ka ndryshuar çdo gjë. Gjithsesi, unë nuk i them vetes që jam xheloze, thjesht e mbroj atë që është e imja (qesh).

Momenti më i sikletshëm gjatë jetës si çift?
– Janë momentet kur diskutojmë për t’i blerë diçka vajzës, e unë jam që të mos blihet çdo gjë, gjëra të kota.
E, babi nuk mund t’i thotë jo për asgjë. Pa dyshim, e lazdron më tepër, ndërkaq unë jam më strikte. Vajza e pranon se babi i blen çdo gjë e mami jo.
E, këto janë momente të sikletshme, por jo të ndonjë rëndësie të madhe.

Cili jeni më romantik?
– Asnjëri. Në fillim të lidhjes ishte Xhemi, tani na mjafton, thjesht, të kemi kohë për të qenë bashkë. Të dy punojmë shumë rreth angazhimeve tona profesionale, e kemi vajzën dhe jemi të lumtur kur gjejmë kohë gjatë ditës të takohemi dhe të rrimë bashkë.

Cili i bëni dhurata më shumë?
– I japim njëri-tjetrit më shumë dhurata kur nuk ka festa, e kjo na duket më speciale. Kur bëjmë dhurata, ato janë vërtet të veçanta.

Kush falë më shumë dhe më shpesh?
– Xhemi, që është njeri me zemër të butë dhe të tillë nuk kam njohur kurrë më parë në jetën time.
Unë jam impulsive, kam inat dhe kur jam gabim më shkon shumë gjatë derisa të vendos të kërkoj falje. Besoj se, ne femrat, e kemi kështu, në përgjithësi.
Ne mund t’u falim burrave diçka, por prapë ua përmendim një mijë herë…

Jeni bërë të famshëm përmes blogut tuaj në “Instagram”. E kujt ishte ideja?
– Ideja e askujt. Nuk e kemi pasur fare në plan të punojmë për t’u bërë të famshëm. Ka ndodhur rastësisht dhe jemi shokuar se sa shpejt janë shpërndarë videot tona.
E kemi bërë video këngën “E du një vajzë shqiptare”, derisa po vozitnim dhe ajo ka marrë shumë pëlqime, edhe pse faqen e kemi pasur private.
Atë ditë na ka shkruar një faqe që ishte për çifte shqiptare, duke na pyetur a mund ta postojnë videon. Ne kemi pranuar dhe nga ai moment video dhe emrat tanë kanë qenë kudo në rrjet.

Çka ju dallon nga blogerët tjerë?
– Të gjithë kanë diçka të veçantë. E veçanta jonë është se nuk duam të prezantohemi me marka, gjëra të shtrenjta e luksoze. Këto i mbajmë për vete.
Ne prezantohemi thjesht, duke u treguar të tjerëve se mund të arrijnë çka do që duan.
Unë dhe Xhemi ia kemi dhënë njëri-tjetrit fjalën që të mos ndryshojmë kurrë dhe për askënd.

Pos blogut me çka merreni, cila është jeta juaj jashtë “Instagramit”?
– Xhemi punon në “Schweizerische Bundesbahn”. Unë, përpos “Instagramit” e kam biznesin tim, sallonin “Meana Hair”, që e kam hapur në vitin 2019 dhe ku punoj 100%. Kryej shërbime të ndryshme profesionale, si ngjyrosjen e flokëve…
Jam e specializuar për Balayage dhe shatirim, bëj prerjen e flokëve për meshkuj dhe femra dhe tani në sallon kemi hapur edhe këndin e kozmetikës.
Jam prej atyre pak blogereve që edhe punoj. Kam mundur të vazhdoj vetëm me “Instagram”, si të tjerët, por dëshira ime ka qenë gjithmonë që të hapë sallonin tim dhe ta kem një profesion për gjithë jetën. Gjithsesi, biznesin dhe “Instagramin” i kam shumë për zemër…

A keni ndonjë projekt së shpejti?
– Momentalisht kemi shumë projekte në sallonin tonë. Sapo t’i kryejmë do të fillojmë të merremi më shumë me “Instagramin”.
Qëndroni me ne! Nderim Neziri /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]