fbpx

Milazim Krasniqi , poezi : Koka e Banush Kamberit

nga Revista Kosovarja

Si shenjë dhimbjeje e nderimi për viktimat e maskarës së Reçakut, po ua sjellë këtë poezi në të cilën kam skicuar njërën nga viktimat e asaj masakre mizore.

KOKA E BANUSH KAMBERIT *
Më këputën nga trupi me sharrë
Dhe më futën në një torbë,
Trupin e tërhoqën oborrit zvarrë
Dhe e lanë të dergjej mbi borë.
Nuk di kështu nga po më hupin,
Në Kragujevc a në Beograd
Një kokë që nuk e ka trupin
S’kanë pse e zhdukin kaq larg.
Nuk jam koka e Ali Tepelenit**
Që tronditi një perandori,
Jam veç koka e Banush Kamberit
Fshatar i thjeshtë, në pleqëri.
Por, për asgjë nuk më pyet njeri,
E si mund të të pyes krimineli?
Udhëtoj futur në torbë nëpër Serbi
Ndoshta deri sa të këndojë gjeli. ***
Pastaj nga t’ia mbaj, ku të shkoj
I ngrirë në tepsi me mjaltë? ****
Unë kam dëshirë të fluturoj
E të kthehem në Reçak.
Të kthehem e të gjej trupin tim
Ta gjej veten time të vrarë,
Edhe të shihja me sytë e mi atë krim
Që lanë prapa këta barbarë.
Por, s’fluturon një kokë e prerë
As nuk ecën pa kokë një njeri.
Përveç më legjendat serbe, që saherë
Rishfaqen, na therin e na vrasin përsëri.
22 dhjetor 2015

* Fshatar nga fshati Reçak i Shtimes. Më 15 janar 1999 forcat policore serbe e vranë dhe pastaj ia prenë kokën. Kokën e prerë e morën me vete, prandaj ajo ende nuk është gjetur.
** Ali Pashë Tepelena ishte sundimtar shqiptar i Pashallëkut të Janinës. Pasi e vranë me pabesi, ia prenë kokën dhe ia dërguan në Stamboll, si provë se e kishin eliminuar pashain rebel.
*** Ekziston legjenda sipas të cilës Millosh Obiliqi ka ecur me kokë të prerë nga fushëbeteja e deri në fshatin Bajmoc. Sipas legjendës, kur ka kënduar këndezi i mëngjesit, i ka rënë koka nga duart dhe ka mbetur aty i vdekur.
**** Kokën e prerë të kryengritësit të famshëm serb, Karagjorgjes, vasalët- lojalistët serbë ia patën dërguar sulltanit në tepsi të ngrirë në mjaltë, që të mos prishej deri sa të mbërrinte në Stamboll.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]