fbpx

Miratohet projektligji i ndryshuar për Byronë e konfiskimit të pasurisë

nga Revista Kosovarja

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën projektligjin e ndryshuar për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar këtë projektligj si ndër më të rëndësishmit të Qeverisë së tij.

“Pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet. Do ta ruajë pasurinë publike dhe do t’ia kthejë shtetit atë që është përfituar jashtëligjshëm e do të shërbejë si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit”, tha kryeministri Kurti.

Projektligji u ndryshua pasi Gjykata Kushtetuese në qershor e shpalli të pavlefshëm.

Në ligjin e shpallur të pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]