Rezoluta 1244 e OKB-së (UNMIK-u), i cili fillimisht vuri bazat legjislative në Kosovë, e që kishte në kompetencat e veta arrestimin e kriminelëve, pavarësisht etnitetit, nuk dha kurrfarë rezultati, shkruan “Kosovarja”.
Misioni i UNMIK-ut, që i merrte informacionet nga OKB-ja, fillimisht i zbarkonte ato në Beograd, kurse Prishtina zyrtare për to mësonte nga mediet e Serbisë!
Shumë dosje të individëve dhe grupeve kriminale serbe u zhdukën, e disa as që u protokolluan për t’u bërë prova zyrtare të trupave juridike për ndjekjen e krimeve serbe në Kosovë nën administratën e UNMIK-ut!
Serbët e arrestuar për krime mbi shqiptarët, u lejuan të iknin nga burgu i Mitrovicës Veriore, si, bie fjala, vëllezërit Peica nga Sllovia e Lipjanit, të cilët i masakruan shqiptarët e këtij fshati.
Dhe, kurrë askush nuk është marrë me serbët e ikur nga burgu i Mitrovicës…
Madje, disa prej masakrave të kryera nga serbët në Kosovë, as nuk janë bërë pjesë e Tribunalit të Hagës!
Dhe, në këtë mënyrë, janë amnistuar kriminelët famëkeq serbë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.
Jo vetëm UNMIK-u, dështoi edhe EULEX-i!
Në mbarim të mandatit të UNMIK-ut, ndonëse ai formalisht ende ekziston me Rezolutën 1244, në Kosovë erdhi misioni EULEX, për të cilin u bë shumë propagandë se do të merrej, përveç krimeve serbe, edhe me “peshqit e mëdhenj”, që apostrofoheshin për korrupsion.
Por, edhe ky mision, le që nuk bëri asgjë për ta përmbushur mandatin, ai, madje, u korruptua edhe vetë!
Dhe, çfarë po ndodhë tani me këtë mision?
EULEX-i po merret me arrestimin e figurave të larta shtetërore të Republikës së Kosovës, që dikur ishin krerë të lartë të UÇK-së.
Me arrestime spektakulare nëpër shtëpi e banesa, si dhe me traumatizim të familjeve të të arrestuarve, ky mision sikur ka harruar se ende janë edhe 1660 shqiptarë të pagjetur nga krimet serbe, për të cilët Vuçiçi po i fshehë detajet informative për varrezat masive!
E, të bëhen arrestime të krerëve të një shteti, si tash në Kosovë, derisa ende Serbia i fshehë gjurmët e krimit të para 20 vjetëve që ka kryer te ne, kjo mund të ndodh vetëm në rastin tonë!
Është i paimagjinueshëm arrestimi i Presidentit Hashim Thaçi, pastaj i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit dhe të tjerëve…
Në anën tjetër, Gjykata Speciale, me 100 mijë gabime procedurale dhe me dosjet e veta që i dërgoi nëpër zyrat e OVL të UÇK-së, nëpërmjet njerëzve të porositur, del se ka bërë provokim brutal në këto zyra!
Pra, dokumentet e Gjykatës Speciale kanë ardhur në këto zyra, kurse janë arrestuar krerët e OVL të UÇK-së pa bërë asnjë të keqe!
BE-ja dhe EULEX-i kanë gjetur terren të përshtatshëm në Kosovë për t’i arrestuar shqiptarët!
Në Kuvendin e Kosovës nuk ka harmoni politike as për temat e interesit nacional, madje, e as për tema të tjera me interes për Kosovën.
Ka konfrontime të thella mes subjekteve politike. Gjërat, madje, kanë shkuar deri aty sa në debate televizive të urohet për arrestimet e krerëve të UÇK-së, e që ishin edhe figura të larta të shtetit!
E, këto arrestime dramatike, në këtë moment politik, nuk janë të rastit, meqë Serbisë i janë bërë shumë favore.
Madje, Kosova nuk e ka shfrytëzuar as 1 për qind verdiktin e GJND-së se kishte të drejtë ta shpallte pavarësinë e shtetit dhe se në territorin e vet, po këta njerëz që janë sot në Hagë, kanë lejuar misionet e huaja të luajnë si të duan në shtetin tonë.
Pra, BE-ja dhe EULEX-i kanë marrë çka kanë dashtë nga Kosova, e Kosova nuk ka pasur kurrfarë dobie prej tyre qe plot 20 vjet!
Andaj, Kosova, e masakruar nga Serbia, e ka humbur imazhin e vet shtetëror, duke i dorëzuar zyrtarët e lartë të shtetit, që ishin edhe krerë të UÇK-së, që e mbrojtën popullin nga gjenocidi i Serbisë.
E, partitë tona politike veç sa vijnë e krijojnë armiqësi ndërmjet veti. Dhe, kjo është për të të ardhur keq, a?
Çka duhet të bëjë qeveria tash?
Qeveria Hoti duhet të paraqes kushte për dialogun me Serbinë. Nëse jo për hir të të arrestuarve, bile sa për ta dëshmuar veten se ka një fije kompetence për të marrë ndonjë vendim brenda territorit të vet gjeografik, ku e ka sovranitetin.
BE-së duhet t’i bëhet e ditur se edhe ne, shqiptarët, dimë të bëjmë politikë dhe se nuk mund të vazhdohet tutje me politikat joproduktive e irracionale ndaj Kosovës.
Sepse, Kosova po jep gjithçka e nuk po merr asgjë! Janë bllokuar të gjitha proceset ekonomiko-politike ndaj Kosovës dhe ato integruese, si dhe të lëvizjes së lirë!
Se, për të marrë liberalizimin e vizave, siç po shihet haptazi, nga BE-ja po kërkohet formimi i Asociacionit ekzekutiv, pra me kompetenca të plota, e që më vonë do qojë në ndarjen e Kosovës!
Prandaj, që kjo të mos ndodhë, duhet hequr dorë edhe nga liberalizimi i vizave, e edhe nga bisedimet me Serbinë. Safet Krivaça /Kosovarja/