Në rubrikën “Muzikë kur dëgjoj” në Top Channel, këngëtarja e njohur Aurela Gaçe përjetoi një nga momentet më prekëse në televizion, kur mori një mesazh të papritur dhe emocional nga motra e saj, Blerta, e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara.
Blerta e nisi mesazhin me tonin e një fansje që e njeh në thellësi artisten:
Më ka habitur gjithmonë thjeshtësia jote. Edhe kur suksesi të prekte qiellin, ti mbeteshe me këmbë në tokë.
Por ishte vazhdimi ai që preku më shumë publikun dhe vetë Aurelën.
Blerta ndau kujtime nga fëmijëria, duke treguar si Aurela i kishte vendosur emrin para se të lindte dhe e kishte mbajtur pranë në çdo hap, nga fustanet tek koncertet.
Momenti më emocional ishte kur Blerta rikujtoi largimin nga Shqipëria:
Kur ika në Amerikë, 15 vjeçe, stopi im i parë ishte Budapest. Kur të dëgjova në telefon, kuptova që kishe qarë… Unë atë natë fjeta me rrobat që u nisa nga Tirana, sepse nuk e dija kur do ju shihja më. Nuk e konceptoja dot jetën pa ty.
Fjalë që rrëfyen një lidhje të thellë motrash, e mbushur me kujtime, sakrifica dhe dashuri të pakushtëzuar.
Ky moment në ekran tregoi një anë tjetër të Aurelës, larg dritave të skenës dhe zërit të fuqishëm — një zemër e ndjeshme që preket thellë nga lidhjet familjare, veçanërisht nga ajo me motrën që i ka qëndruar pranë në çdo kapitull të jetës.