Dermatologët shpjegojnë pse vetëm spërkatja nuk mjafton dhe si ta përdorni sprejin me SPF në mënyrë efektive.
Spreji për mbrojtje nga dielli është bërë zgjedhja e preferuar për shumë njerëz për shkak të prakticitetit dhe aplikimit të shpejtë, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, zonat e paarritshme të trupit apo gjatë lëvizjes. Por, megjithë këtë lehtësi, dermatologët gjithnjë e më shumë paralajmërojnë se përdorimi i gabuar i tij mund të ulë ndjeshëm efikasitetin dhe të lërë lëkurën të pambrojtur ndaj rrezeve UV.
Pikërisht thjeshtësia e sprejit shpesh çon në pakujdesi dhe aplikim të cekët. Shumë përdorues nuk i kushtojnë vëmendje sasive të duhura, teknikës së aplikimit apo kushteve mjedisore, çka për pasojë rrit rrezikun për dëmtime të lëkurës nga dielli.
Më pak efikas sesa duket
Spreji ka disa të meta në krahasim me losionet apo kremrat mbrojtës nga dielli.
“Spreji është më mirë se mos të përdorësh fare mbrojtje dhe e kuptoj pse pëlqehet, veçanërisht për fëmijët apo ata që janë gjithmonë në lëvizje. Por është thelbësore të përdoret në mënyrë të saktë. Nëse dikush nuk është i gatshëm ta përhapë mirë dhe ta riaplikojë, më mirë është të përdorë losion”, shpjegon Dr. Hana Kopelman, dermatologe dhe kirurge për flokët në New York, transmeton Telegrafi.
Nuk aplikohet sasia e mjaftueshme
Sasia minimale e losionit mbrojtës që duhet për një të rritur për të mbuluar zonat e ekspozuara është rreth një gotë e vogël. Për sprejin, kjo është e vështirë të matet.
“U them pacientëve të imagjinojnë një sasi sa një top golfi për secilën pjesë kryesore të trupit, edhe kur përdorin sprej”, thotë Dr. Kopelman.
Spreji duhet të shndrisë mbi lëkurë dhe më pas të përhapet mirë me dorë. Një alternativë është ta spërkatni së pari në pëllëmbë dhe më pas ta aplikoni në lëkurë, kjo ndihmon për të kontrolluar më mirë sasinë.
Sprejat me filtra mineralë (si oksidi i zinkut), krijojnë një barrierë fizike dhe shpesh janë të bardhë, gjë që ju ndihmon të shihni më qartë ku është aplikuar dhe ku mungon, shkruan Health.
“Spërkatni nga një distancë e afërt, për të paktën 6 sekonda për çdo zonë dhe më pas përhapeni. Spërkatja e shpejtë nga një metër larg nuk ofron mbrojtje efektive”, paralajmëron Dr. Kopelman.
Aplikimi në kushte të papërshtatshme
Spreji nuk duhet të përdoret në ambiente të mbyllura, si në banjë apo makinë, sidomos nëse është në formë aerosoli. Grimcat e vogla mund të irritojnë fytin, hundën, sytë dhe mushkëritë.
“Nëse tentoni ta përdorni në mes të plazhit ose në një barkë në lëvizje, era do ta shpërndajë para se të prekë lëkurën,” thotë Dr. Kristin Baird, dermatologe nga Kolorado.
Zgjidhni vende të hapura, pa erë, si oborri apo parkingu. Në ditët me erë, më mirë përdorni losion apo krem mbrojtës.
Mos-përhapja me dorë
Është gabim i zakonshëm të mendohet se spreji nuk ka nevojë të përhapet.
“Nëse nuk e përhapni, nuk e përdorni si duhet. Do të mbeteni me zona pa mbrojtje, dhe efekti do të jetë i pabarabartë,” paralajmëron Dr. Kopelman.
Aplikimi në vetëm një shtresë
Në varësi të ambientit dhe kohëzgjatjes në diell, një shtresë e vetme nuk mjafton.
“Shtresimi është çelësi për mbrojtje të plotë. Spreji është i përshtatshëm për rifreskim gjatë ditës, por është më vështirë të siguroheni që çdo zonë është e mbuluar,” thotë Dr. Rachel Day.
“Unë zakonisht spërkas, përhap, pastaj spërkas edhe një herë dhe përhap sërish”, shton Dr. Baird.
Mos-riaplikimi mjaftueshëm
Rregulli është: çdo 2 orë ose pas larjes dhe djersitjes, pa përjashtim.
SPF më i lartë nuk do të thotë që nuk keni nevojë për riaplikim. “Mbi SPF 50, përfitimi shtesë është i vogël. Çelësi është shpeshtësia e përdorimit”, thekson Dr. Baird.
Përdorimi i produkteve të vjetra
Përbërësit aktivë në SPF degradohen me kalimin e kohës dhe me temperaturat e larta.“Është praktikë e mirë që për çdo sezon apo pushim të ri, të merrni një produkt të freskët,” rekomandon Dr. Baird.
Mbani mend!
Spreji me SPF është praktik, por kërkon kujdes të veçantë në përdorim. Mos e përdorni si zgjidhje të shpejtë pa respektuar udhëzimet. Përdoreni siç duhet dhe lëkura juaj do t’ju falënderojë.