fbpx

Mos zgjidhni kurrë këto ngjyra rrobash banje për fëmijët – nuk është çështje estetike, por jete

nga Revista Kosovarja

Një apel i rëndësishëm për prindërit

Vera është stina e lojës, buzëqeshjes dhe kënaqësisë në pishina dhe në det. Por vera mund të jetë edhe e rrezikshme, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët dhe ujin. Pikërisht për këtë arsye, ekspertët e sigurisë në ujë u bëjnë thirrje prindërve që gjatë zgjedhjes së rrobave të banjës për fëmijët të mos fokusohen vetëm te moda, por edhe te dukshmëria.

Zgjedhja më e keqe: rrobat e banjës në ngjyrë blu dhe të bardhë

Paralajmërimi që po qarkullon këto ditë në internet vjen nga kompania ALIVE Solutions Inc., e cila prej vitesh merret me analiza dhe edukim mbi sigurinë në ujë. Testet e tyre kanë treguar qartë se ngjyrat më të këqija për rrobat e banjës janë blu dhe e bardha, pasi janë më të vështirat për t’u dalluar në ujë, sidomos në thellësi të pishinës, liqenit apo detit.

“Sipas mendimit tonë, ngjyrat më problematike janë e bardha dhe blu e çelur, ndërsa zgjedhja më e mirë janë rrobat e banjës në ngjyrë neon rozë dhe neon portokalli,” thuhet në blogun e kompanisë, transmeton Telegrafi.

Sekondat që mund të shpëtojnë jetë

Ky rekomandim nuk ka të bëjë me stilin, por me jetën. Rojat e plazhit dhe të pishinave duhet të reagojnë me shpejtësi, dhe mundësia për të vërejtur në kohë një fëmijë në rrezik shpesh varet nga ngjyra e rrobës së banjës.

“Rojat e sigurisë i vërejnë më lehtë notuesit që kanë veshur rroba me ngjyra të ndezura. Në situata shpëtimi, edhe disa sekonda mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes,” njofton kompania.

Të dhënat e OKB-së: fëmijët dhe të rinjtë më të rrezikuarit

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se mbytja është një nga shkaqet kryesore të vdekjes te fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 24 vjeç. Veçanërisht të rrezikuar janë fëmijët rreth moshës pesëvjeçare. Prandaj është thelbësore të bëjmë gjithçka për të përmirësuar sigurinë e tyre në ujë, duke nisur nga ajo që veshin.

Ngjyrat që duken më lehtë në ujë

Testet e kryera nga ALIVE Solutions Inc. përfshinë skenarë të ndryshëm nga pishinat me pllaka blu dhe të çelura, te liqenet dhe deti. Përfundimet janë të qarta:

▪ Neon rozë dhe neon portokalli janë ngjyrat më të dukshme në çdo ambient ujor.
▪ E verdha fluoreshente dhe e gjelbra e ndezur janë gjithashtu zgjedhje të mira.
▪ Ngjyrat e errëta janë mesatarisht të dukshme, por mund të ngatërrohen me gjethet, algat apo hijet.
▪ Bluja dhe e bardha janë më pak të dukshme në të gjitha kushtet.

Theksohet rëndësia që ngjyra e rrobës së banjës të jetë në kontrast me ngjyrën e ujit dhe ambientin përreth – pllakat e pishinës, dyshemenë, ndriçimin dhe hijet.

Nënat në TikTok japin alarmin, videoja që pushtoi rrjetin

Edhe pse këto të dhëna njihen që nga viti 2021, vetëm kohët e fundit kanë marrë vëmendje më të madhe falë një postimi në TikTok nga Nikki Scarnati, instruktore noti dhe nënë. Në një video që u bë virale, ajo tregoi se sa e vështirë është të dallosh një fëmijë me rroba të banjës blu në ujë.

Videoja e saj shkaktoi një valë reagimesh nga prindër në mbarë botën, sepse ilustronte në mënyrë reale dhe të qartë një rrezik që shumë nuk e kishin marrë në konsideratë.

Rregulli vlen për gjithçka

Ekspertët këshillojnë që kjo logjikë të zbatohet jo vetëm për rrobat e banjës, por edhe për kapelat, syzet, lodrat që fëmijët marrin me vete në ujë. Duhet të shmangen ngjyrat blu dhe të bardha edhe tek topat, kovat apo dërrasat notuese.

“Nëse e shihni këtë krahasim, me shumë gjasa nuk do t’ju shkojë më mendja të blini rroba të bardha apo blu për fëmijët,” – përfundon paralajmërimi i ALIVE Solutions Inc

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]