fbpx

Mozaiku: Bëj një ëmbëlsirë të ftohtë për të gjithë familjen në vetëm 10 minuta!

nga Revista Kosovarja

Të gjithë duan të përgatisin diçka sa të shijshme, aq edhe të shpejtë dhe praktike, e sidomos ne nënat qe kemi plot gjëra për të bërë, e si rrjedhojë ëmbëlsira mbetet e fundit në listë.

Për t’ju dhënë një ide, sot do të ndajmë me ju një recetë praktike, pa shumë shpenzim dhe shumë të shijshme!

Mozaik!

Ideale për nënat që e kanë kohën e limituar! Para se të flini, përgatiteni këtë ëmbëlsirë për 10 minuta dhe lëreni në frigorifer. Në mëngjes ëmbëlsirën do ta keni gati!

Përbërësit për këtë ëmbëlsirë janë këto:

– 100 gr. gjalpë

– 1 gotë uji me qumësht (200ml)

– 3 lugë kakao

– 4 lugë sheqer pluhur ose 3 lugë sheqer normal

– 2 pako biskota Petibor

* Sipas dëshirës mund t’i shtoni edhe arra, lajthi etj.

Përgatitja:

– Shkrijmë gjalpin

– Në një enë hedhim sheqerin, kakaon, qumështin dhe gjalpin e shkrirë

– Pasi e përziejmë mirë përbërjen, mbi të i shtojmë edhe biskotat duke i copëtuar jo shumë imët.

* Sipas dëshirës shtohen edhe arrat.

– Pas një përzierjeje të fundit me delikatesë, pa e prishur tërësisht formën e biskotës, ëmbëlsira është gati për frigorifer.

Se fundmi, në një enë që ne do ta zgjedhim si kallëp për mozaikun, vendosim stretch foli, pastaj hedhim përbërjen dhe pasi e kemi mbështjellë mirë me stretch foli, e vendosim në frigorifer te ngrirja.

* Idealja është qëndrimi në ngrirje 4 orë, por nëse do ta lini gjatë natës në frigorifer, nuk është e domosdoshme ta vendosni në ngrirje.

Kjo ëmbëlsirë serviret e ftohtë.

Ju bëftë mirë!

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]