Naim Murseli, i akuzuari kryesor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, është deklaruar sërish i pafajshëm gjatë seancës gjyqësore që po mbahet sot nën masa të rrepta sigurie.
“Jam i pafajshëm. Po të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë vetë për veten time kërkoj dënim me burgim të përjetshëm”, ka deklaruar Murseli në sallën e gjyqit.
Në këtë seancë, i akuzuari Granit Plava ka kërkuar të mbrohet në heshtje dhe nuk është deklaruar lidhur me fajësinë, ndërsa i akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, është shprehur i pafajshëm.
Seanca kishte nisur me mungesën e palës së dëmtuar dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, por ata janë paraqitur disa minuta më vonë, duke i hapur rrugë vazhdimit të procedurës.
Procesi ndaj tre të akuzuarve për vrasjen që tronditi opinionin publik po ndiqet me interes të madh dhe pritet të zhvillohet në disa seanca.
IndeksOnline do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e radhës.