fbpx

Naser Berisha me hite që nga vitet 90

nga Revista Kosovarja

Naser Berisha, nga Gjilani, i njohur si këngëtari i hiteve “Do të doja”, “A më kujton” dhe i shumë këngëve të tjera, për revistën tonë jep të dhëna interesante nga karriera e tij artistike.

Hapat e karrierës i filloi duke lozur me kitarë. Por, dëshira dhe talenti nuk mjaftonin pa disiplinë në punë.
“Kur fillova te ushtroj në kitarë, natyrisht, dëshirën dhe vullnetin e kisha në maksimum. Por, për arritjen e qëllimit nuk mjafton vetëm talenti e dëshira. Primare është disiplina në punë, sepse kam lexuar se “Ndërmjet ëndrrës dhe realitetit qëndron disiplina”, thotë Naseri, në fillim të bisedës sonë.

Në vitin 1993 ai shkoi në Gjermani. Në atë kohë arti në Kosovë nuk zhvillohej edhe aq, për arsye të gjendjes politike dhe ekonomike.
E, në vitin 2000 u rikthye fuqishëm, duke krijuar këngë të cilat edhe pas 20 vjetësh ende dëgjohen.

Kur u bë Naseri me album të parë?
“Kur shkova në Gjermani ishte viti 1993. Ishte kohë kur pak a hiq bëhej art, shkaku i situatës politiko-ekonomike në Kosovë. Ndërkaq, e kisha edhe ngarkesën emocionale, meqë u detyrova të largohem nga vendlindja, e interesimi në fillim ishte zero për krijimtari të re. Kurse, tek pas çlirimit, nga viti 2000 publikova albumin e parë “Jo mos thuaj”, ku, ndër shumë këngë të mira, u veçua kënga “Do të doja”. Besoj se ishte albumi më i mirë deri më tash…”, thotë Naseri gjatë bisedës sonë. Dhe, pa dyshim, edhe pse kanë kaluar disa dekada, këngët e tij dëgjohen edhe sot…

Në pyetjen se si e sheh veten në raport me artistët tjerë, jep këtë përgjigje: “Diferenca ndërmjet artistëve periodikë apo sezonalë dhe atyre që veprat e tyre dëgjohen me dekada është, pikërisht, vlerat artistike e muzikës që bëjnë. Disa kanë hite sezonale “eksploduese”, të cilët dëgjohen në një periudhë të caktuar kohore, e të tjerë që nuk kanë pasur “eksplodim” në fillim, por dëgjueshmëria e tyre zgjat shumë më shumë sesa një dekadë. Në këtë kategori artistësh bëj pjesë edhe unë”.

Formula se si e përfiton publikun…
Gjithashtu, nuk kishte si të mungojë pyetja: Cila është formula që përdor për t’i fituar zemrat e publikut? “Ndoshta nuk mund ta shpjegoj formulën ekzakte se cila është, por përmendi disa gjëra, të cilat besoj se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim artistik. Një nga to është zëri specifik, i cili dallohet nga vokalet e tjerë. Pastaj, mënyra e këndimit, e cila ishte paksa e veçantë deri në atë kohë.

Tekstet, sidomos teksti i këngës “Do të doja”, i cili ishte larg para kohës së vet, sidomos nëse llogarisim se këtë këngë, tekstin e së cilës e kisha shkruar në vitin 1992, e bënë edhe më të veçantë se sa na duket sot. Sepse, një tekst i tillë ka qenë rrezik i madh për kohën kur është shkruar. Mbase, publikimi i kësaj kënge në vitin kur është shkruar do të bojkotohej!
Mbase, edhe do ta shkatërronte karrierën time ende pa filluar! Por, nuk thuhet kot: “E ardhmja u takon guximtarëve”, e kjo vlen në çdo lëmi të jetës”.

A do t’i nxjerrë hitet në gjuhën gjermane?
“Në Gjermani nuk kam tentuar të bëj karrierë. Por, mbase një ditë do të marrë guxim dhe këngët hite që i kam ndër vite t’i publikoj edhe në gjuhën gjermane”, tha në fund të bisedës sonë, Naser Berisha.

Xheneta Spahiu

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]