Jake Larson, i njohur gjerësisht si “Papa Jake”, një nga të mbijetuarit e fundit të zbarkimit në Normandi dhe një nga figurat më të dashura të veteranëve amerikanë, ka ndërruar jetë në moshën 102-vjeçare.
Papa Jake nuk ishte vetëm një hero lufte, por edhe një sensacion i rrjeteve sociale në vitet e fundit, ku përmes TikTok-ut, ndante kujtimet e tij nga Lufta e Dytë Botërore dhe jepte mesazhe frymëzuese për gjeneratat e reja.
I lindur në Minesota, ai u rekrutua në Gardën Kombëtare në vitin 1938, por pas sulmit në Pearl Harbor në 1941, njësia e tij kaloi në shërbim aktiv. Në janar të vitit pasardhës, u vendos në Irlandën e Veriut, ku më vonë u ngrit në gradën e rreshterit të operacioneve dhe ndihmoi në planifikimin e zbarkimit të Normandisë, duke marrë pjesë edhe vetë në zbarkimin e famshëm në plazhin Omaha.
Ai ishte pjesë edhe e Betejës së Bulge, një nga përballjet më të vështira në Europë.
Vitet e fundit të jetës i kaloi duke ndërtuar ura mes brezave, me vizita të shpeshta në Normandi për përvjetorët e Ditës D, si dhe me publikimin e autobiografisë së tij në vitin 2021.
“Njeriu më me fat që është gjallë – Histori nga jeta e Papa Jake”.
