fbpx

Ndërprerje masive energjetike në Spanjë dhe Portugali, shkak energjia diellore

nga Revista Kosovarja

Një ndërprerje masive e energjisë elektrike goditi Spanjën dhe Portugalinë të hënën, më 28 prill, duke lënë miliona konsumatorë pa energji elektrike për disa orë. Operatorët e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike (REE) të Spanjës kanë zbuluar se dy defekte serioze në rrjetin elektrik shkaktuan ndërprerjen, por origjina e këtyre defekteve mbetet ende e pasqaruar.

Përmes një njoftimi zyrtar, REE ka konfirmuar se në orën 12:33 ndodhi një goditje e parë, e cila u stabilizua shpejt. Por, vetëm një sekondë e gjysmë më vonë, një ngjarje e dytë, e ngjashme me të parën, shkaktoi një paqëndrueshmëri më të madhe në sistem.

Pas 3.5 sekondash, rrjeti i energjisë elektrike u shkëput nga lidhja me sistemin evropian të energjisë, duke shkaktuar një shembje të plotë të rrjetit në Spanjë dhe Portugali.

Sipas REE, shkaku i këtij kolapsi duhet kërkuar në juglindje të gadishullit iberik, në rajonin e Extremadurës, një nga zonat që prodhon më shumë energji elektrike falë pranishmërisë së centraleve fotovoltaike dhe hidroelektrike, si dhe centraleve bërthamore të fuqishme.

Autoritetet spanjolle kanë sugjeruar mundësinë që sistemi fotovoltaik të ketë pasur një rol të rëndësishëm në ngjarjen që shkaktoi paqëndrueshmërinë.

Nga ana tjetër, kryeministri portugez Luis Montenegro theksoi se nuk ka asnjë shenjë të mundshme të një sulmi kibernetik, ndërkohë që po shqyrtohen të gjitha hipotezat e mundshme për këtë incident, përfshirë mbiprodhimin e energjisë diellore dhe problemet në balancimin e rrjetit.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]