Mjeku dhe shkencëtari francez Etienne-Emile Baulieu, i njohur si babai i pilulës së abortit, vdiq në moshën 98 vjeç, në shtëpinë e tij në Paris. Mjeku dhe studiuesi, i cili arriti famë botërore për punën e tij që çoi në pilulën, pati një jetë të mbushur me ngjarje që përfshinte luftime në rezistencën franceze dhe miqësi me artistë të tillë si Andy Warhol.
“Hulumtimi i tij u udhëhoq nga angazhimi i tij ndaj progresit të mundësuar nga shkenca, përkushtimi i tij ndaj lirisë së grave dhe dëshira e tij për t’u mundësuar të gjithëve të jetojnë jetë më të mira dhe më të gjata”, tha në një deklaratë gruaja e Baulieu, Simone Harari Baulieu.
Baulieu u martua me Simone Harari në vitin 2016. Ai lë pas tre fëmijë, tetë nipër e mbesa dhe nëntë stërnipër e stërmbesa.
I lindur si Etienne Blum nga prindër hebrenj në Strasburg, më 12 dhjetor 1926, ai u rrit nga nëna e tij feministe pasi babai i tij, vdiq. Ai e ndryshoi emrin e tij në Emile Baulieu kur iu bashkua Rezistences Franceze kundër pushtimit nazist në moshën 15 vjeç, duke i shtuar më vonë mbiemrit të tij edhe emrin Etienne.
Pas luftës, ai u bë një person që e quante veten “mjek që merret me shkencë”, i specializuar në fushën e hormoneve steroide. I ftuar për të punuar në Shtetet e Bashkuara, Baulieu u vu re në vitin 1961 nga Gregory Pincus, i njohur si babai i pilulës kontraceptive, i cili e bindi të përqendrohej te hormonet seksuale.
Kërcënime nga kundërshtarët e abortit
Zbulimi më i njohur i Baulieu ndihmoi në krijimin e ilaçit oral RU-486, i njohur edhe si mifepristone, i cili u ofroi miliona grave në të gjithë botën një alternativë të sigurt dhe të lirë ndaj abortit kirurgjikal.
Pas kohës së tij në SHBA, Baulieu, ndërsa ishte kthyer në Francë, krijoi një mënyrë për të bllokuar efektin e hormonit progesteron, i cili është thelbësor që veza të implantohet në mitër pas fekondimit. Kjo çoi në zhvillimin e mifepristonit në vitin 1982.
Puna e tij nënkuptonte se ai u përball gjithashtu me kritika të ashpra dhe ndonjëherë kërcënime nga kundërshtarët e abortit. Pasi Wyoming u bë shteti i parë amerikan që ndaloi përdorimin e pilulës së abortit në vitin 2023, Baulieu i tha AFP-së se kjo ishte “skandaloze”. Baulieu tha se i kishte kushtuar një pjesë të madhe të jetës së tij “rritjes së lirisë së grave” dhe ndalimi ishte një hap në drejtimin e kundërt.